Elena Kocaçi, një historiane e njohur shqiptare, kohë më parë erdhi në Prishtinë dhe propovoi librin e saj “Lufta e Trojes-pellazgo- ilire”. Në prezantimin e saj ajo preku, tashmë, një temë të ndjeshme për ne. Ajo kishte të bënte me kishat orthodokse shqiptare në Kosovë të cilat u uzurpuan nga serbët.
Këto kisha: në Graçanicë, në Prizen, në Deviq, në Deçan,…, sipas autores janë ndërtuar para ardhjes së serbëve në Ballkan, dhe ka me qindra dëshmi arkivore, që dëshmojnë se ato ishin tonat. Këtë gjë e pohojnë edhe historian serbë.
Çuditërisht në fazën e bisedimeve, pala shqiptare nga padituria nuk arriti t’i prezantojë ato si pasuri kulturore të Kosovës. Madje pos paditurisë dhe mosinteresimit për këtë pjesë të kulturës sonë, “negociatorët” nuk e panë të udhës as të angazhojnë historianë të njohur ndërkombëtarë për ta dëshmuar autoktoninë e këtyre kishave në procesin e dialogut!
Në këtë drejtim, pala serbe vazhdimisht i ka ra çekanit për kishat e uzurpuara duke luftuar edhe për një autonomi të tyre brenda shtetit të Kosovës. Madje, ajo nuk la gur pa lëvizur, që Kosova të mos bëhej pjesë e UNESCO-s, në mënyrë që ta ruajë ndikimin e saj mbi këto vlera kulturore të Kosovës.
Tash kur po trumbetohet me të madhe për nënshkrimin e një Marrëveshjeje tejet enigmatike, përfundimtare me Serbinë, pa ndodhur njohjet e ndërsjella Kosovë-Serbi, po flitet edhe publikisht se kishat e përmendura, me eksterritorialitetin e tyre do të kenë “autonomitë” e tyre dhe do të jenë të mbikëqyrura nga Beogradi, gjë që paraqet një skandal të llojit të vet.Nëse kjo ndodhë, bashkë me heqjen e një pjese të territorit të Kosovës së pavarur(me “korrigjimin”) atëherë vendi do të shndërrohet në një karikaturë, shtet jo funksional, ndoshta edhe më keq se Bosnja.
Bazuar në të dhënat e mësipërme, Kosova në bisedime duhet ta ketë kushtin elementar njohjen e shtetit të Kosovës nga Serbia. Në të kundërtën, gabimin që do ta bëjmë tash nuk do të na falin gjeneratat.