Edhe një përvjetor i “Rilindjes”me padrejtësitë ndaj punëtorëve të saj

Prishtinë | 12 Shk 2019 | 11:07 | Nga Zeqir Bekolli

Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, në qytetin e Prizrenit, më 12 shkurt 1945, doli numri i parë i të përditshmes “Rilindja”, e cila, hiq anën politike, ishte dritare dhe abetare e shqiptarëve, që jetonin nën ish-Jugosllavi. Që nga ajo ditë, “Rilindja” u rrit dhe bashkëjetoi me rrjedhat e zhvillimeve nëpër të cilat kaloi populli shqiptar. Ajo ishte një kroniste e kohës, në të cilën u evidencuan të gjitha ngjarjet, pro dhe kundër shqiptarëve. Falë, intelektualëve gazetarë, ajo arriti ta mbajë gjallë shpirtin e shqiptarëve edhe atëherë kur për shumëkënd shpresat ishin zbehur përballë rreziqeve për shfarosje kolektive nga regjimi kriminal i Beogradit. Edhe pse “Rilindja” u bë “pre” e masave të para të pushtuesit,  kolektivi i saj nuk u dorëzua dhe nuk u nënshtrua asnjëherë. Përkundrazi, u mobilizua dhe vazhdoi punën edhe me intensitet edhe më të madh. Falë gazetarëve punëtorë dhe të guximshëm, nëpërmjet gazetës alternative “Bujku”, arriti ta mbajë gjallë shpirtin e shqiptarëve në një periudhë kur Kosovës i kanosej një shfarosje kolektive.

“Bujku”, që në fakt ishte “Rilindja” me shpirtin e saj kryengritës arriti me sukses t’a ta demaskojë një regjim kriminal, siç ishte ai i Milosheviqit. Duke i bërë ballë këtij regjimi, në atë periudhë, gazeta arriti të dalë në Perëndim, me emrin “Rilindja”. Bazuar në cilësinë dhe monopolin që kishte atje, ajo u bë edhe fuqi ekonomike dhe nisi zgjerimin e  saj, pos në Zvicër edhe në Tiranë, me shtypshkronja moderne. Nga mjete e fituara atje, mbahej edhe kolektivi në Prishtinë, që ishte trupi dhe koka e “Rilindjes”. Mirëpo, atë që nuk arriti ta bëjë regjimi e Beogradit, e bënë një grup hajdutësh për brenda, që kolektivi iu besoi udhëheqjen në Zvicër e Tiranë.Ata shfrytëzuan periudhën e pushtimit për t’u pasuruar me paratë e kolektivit dhe në fund edhe për t’i dhënë grushtin vendimtar të shkatërrimit, bashkë me administratën e UNMIK-ut e cila me një vendim të njëanshëm në vitin 2002 përzuri nga Pallati kolektivin, dhe në këtë mënyrë gazetës tradicionale “Rilindja” përfundimisht iu dha dryni.

Nga ajo ditë e deri më sot, punëtorët e “Rilindjes”, disa kanë vdekur, një pjesë kanë mbetur rrugëve, kurse një pjesë tjetër kush ku ka mundur të gjendet.

Pasuria e “Rilindjes”, Pallati me 5 hektarë tokë është marrë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, për nevojat e shtetit, kurse në Zvicër e Gjermani, ku u botua “Rilindja” gjatë periudhës së pushtimit janë zhdukur gjurmët. Në Tiranë shtypshkronja milionëshe “Euro Rilindja” është shkatërruar, kurse në objektin e saj kanë lulëzuar biznese të ndryshme.

Përballë kësaj, punëtorët kanë mbetur me gishta n’ gojë, pa e realizuar të drejtën e 20 për qindëshit që iu takon. Në këtë drejtim hesht  Agjencia e Privatizimit, hesht edhe Qeveria që e mori pronën e “Rilindjes”. Me një fjalë, ndodhi diskriminimi i pashembullt që nuk do koment.

(Autori është drejtor i gazetës “Rilindja”)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme