Zgjedhja e ngjyrës së mureve është një vendim mbi të cilin shumë adhurues të dizajnit të brendshëm mendojnë gjatë. Por, sipas psikologjisë, kjo zgjedhje nuk është thjesht estetike – ajo ka ndikim real në mendjen dhe mirëqenien tonë.
Profesori Geoff Beattie, profesor i psikologjisë në Universitetin Edge Hill, thotë se skema e ngjyrave është “një çështje psikologjike, jo vetëm dekorative”.
“Nje numër gjithnjë e më i madh studimesh neuroshkencore, sjellore dhe psikologjike tregojnë se ngjyra nuk është thjesht çështje shijeje,” shkruan ai për The Conversation.
“Ngjyrat që na rrethojnë ndikojnë gjendjen emocionale, aftësinë për t’u përqendruar, marrëdhëniet shoqërore, gjumin – madje edhe mirëqenien psikologjike afatgjatë.
Me fjalë të tjera, muret e shtëpisë mund të formësojnë jetën tonë më shumë sesa mendojmë.”
Sipas Beattie-t, nëse doni të rrisni kreativitetin dhe aftësinë për zgjidhje problemesh, zgjedhja ideale janë tonet e buta të gjelbra. Në të kundërt, muret e kuqe e vështirësojnë përqendrimin dhe qartësinë mendore.
Të bardha, gri dhe bezhë
Kur jemi të pasigurt për ngjyrën e mureve, shpesh zgjedhim nuanca neutrale – dhe kjo nuk është pa arsye.
“Ngjyrat neutrale (e bardha, gri, bezha) kanë stimulim të ulët vizual, gjë që ndihmon në uljen e stresit dhe mbingarkesës shqisore,” shpjegon Beattie.
“Ato krijojnë ndjesi hapësire dhe stabiliteti emocional, si te fëmijët ashtu edhe te të rriturit.”
Megjithatë, paralajmëron ai, konteksti dhe nuanca janë vendimtare.
“Grija e ftohtë ose e bardha shumë e fortë, sidomos në ambiente me ndriçim të dobët, mund të krijojnë ndjesi steriliteti apo trishtimi.”
Blu dhe jeshile
E lidhur ngushtë me natyrën, jeshilja shoqërohet me rigjenerim dhe ulje të lodhjes mendore.
Bluja, e lidhur me qiellin dhe ujin, ka efekt qetësues dhe stabilizues.