Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Bernard Challandes, ka thënë se e ka ftuar sulmuesin e Ballkanit, Mirlind Daku, për tri ndeshjet e ardhshme të Kosovës për shkak të formës së tij të shkëlqyer në Superligë dhe për të shtuar konkurrencën në repartin ofensiv.
Në konferencën për media para miqësores me Shqipërinë, Challandes ka thënë se Dakun e ka ftuar për shkak të formës e jo për t’i dhënë kënaqësi dikujt.
“Daku ka luajtur ndeshje të mira, është i ri dhe ka shënuar shumë gola. Kështu që, më duhej ta ftoja. Për mua është e rëndësishme të ftojë lojtarët më të mirë, jo për t’u dhënë kënaqësi. Pasi nuk kemi shënuar shumë gola me Kombëtaren dhe ai ka shënuar, kjo është arsyeja që e kemi ftuar. Dua të kem konkurrencë sa më shumë në ekip”, ka thënë Challandes për sulmuesin që ka realizuar 17 gola në 11 xhiro deri tash në Superligë.
Challandes ka shtuar se pret ndeshje të fortë me Shqipërinë, ndërsa ka njoftuar se qendërmbrojtësi Betim Fazliji do të mungojë në ndeshjet ndaj Sllovenisë dhe Moldavisë në Ligën e Kombeve, për shkak të mungesës së dokumentacionit.
Në anën tjetër, qendërmbrojtësi Amir Rrahmani, e ka vlerësuar përballjen me Shqipërinë si ndihmë për ndeshjet e Ligës së Kombeve.