Bernard Challandes edhe të hënën e cilësoi të madhe fitoren 3:0 të Kosovës në miqësoren e muajit maj kundër Shqipërisë. Por përzgjedhësi i Kosovës në futboll, zvicerani Challandes, të madh e sheh edhe rrezikun që përfaqësueses mund t’i sjellë ajo fitore e arritur në Zuerich më 29 maj, para ndeshjeve të para në Ligën e Kombeve të UEFA-s.
Për të përcjellë mesazhin se pse fitorja ndaj Shqipërisë përbën rrezik, Challandes në konferencë për shtyp të mbajtur në hotelin “Emerald” është shërbyer edhe me disa letra që i kishte vendosur në mur e në të cilat kishte nga disa rreshta të shkruar në gjuhën frënge, shkruan sot “Koha Ditore”.
Ndonëse nuk u kuptua qartë mesazhi i atyre letrave, Challandes tha se fitorja ndaj Shqipërisë mund të ketë rrezikun nëse lojtarët bazohen shumë në atë takim dhe nuk japin maksimumin në dy takimet e radhës.
Zvicerani 67-vjeçar ka insistuar se fitorja ndaj Shqipërisë nuk është garanci se Kosova mund t’i mposhtë edhe Azerbajxhanin dhe Ishujt Faroe.
Me Azerbajxhanin, Kosova do të luajë të premten në Baku, kurse më 10 shtator në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë e pret përfaqësuesen e Ishujve Faroe. Janë këto ndeshjet e para të Kosovës në Ligën e Kombeve të UEFA-s, garën që po zhvillohet për herë të parë. Kosova bën pjesë në grupin e tretë të Ligës D të Ligës së Kombeve të UEFA-s.