Kosova nuk ka arritur më shumë se një barazim, në ndeshje në udhëtim ndaj Moldavisë.
Në kuadër të fazës së grupeve të edicionit të ri në Ligën e Kombeve, ‘Dardanët’ barazuan 1:1 me Moldavinë, përcjell Insporti.
Kosova shihej si favorite për këtë takim, që u zhvillua në Parma të Italisë, por nuk arriti më shumë se një pikë nga ndeshja e parë e grupit 3, të Ligës C.
Milot Rashica u zëvendësua në pjesën e dytë dhe duket se ka pësuar një lëndim në gju.
Këtë e ka konfirmuar edhe trajneri Bernard Challandes në konferencën për shtyp pas ndeshjes.
“Rashica ka pësuar një lëndim të vogël, por nuk duket që është serioz. Nuk mund ta di sigurt, nuk jam mjek. Ai pësoi lëndim në një situatë të ndeshjes”.
“Pas lëndimit, ne duhej ta zëvendësonim atë për të mos rrezikuar me gjendjen e tij”, shtoi ai.
Rashica do të kthehet në Gjermani ku edhe ashtu nuk ishte lejuar që të luaj në Prishtinë ndaj Greqisë.