Challandes: Ndeshjen me Maqedoninë e Veriut e humbëm për shkak të Coronavirusit

Prishtinë | 28 Dhj 2020 | 17:38 | Nga Ekonomia Online

Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Bernard Challandes, ka folur për dështimin e përfaqësueses në ndeshjen ndaj Maqedonisë së Veriut. Challandes ka vlerësuar se ndikim direkt në rezultatin e Kosovës kishte situata me koronavirus.

Kosova humbi nga Maqedonia në gjysmëfinale të plejofit për kualifikim në “Euro 2020”.

Challandes ka folur për gazetën zvicerane, Le Temps lidhur me situatën e krijuar nga COVID-19. Natyrisht ka folur edhe për punën që e ka te Kosova.

“Sa i takon futbollit, isha i frustruar”, ka thënë Challandes kur është pyetur se si e ka përjetuar krizën e shkaktuar nga koronavirusi.

“Ne kemi pasur një synim këtë vit: ndeshjen e tetorit kundër Maqedonisë së Veriut. Ne kemi punuar për këtë ndeshje tri vjet. E humbëm plotësisht shkaku i koronavirusit. Kalova kohën duke bërë telefonata, duke biseduar me mjekë, me rajone, me gjitha instancat e futbollit dhe nuk munda të mendoj për ndeshje. Në ditën e ndeshjes ne arritëm pa tre lojtarët më të mirë. Njëri kishte koronavirusin, dy të tjerë ishin të bllokuar. Kam pasur ndjenjën e padrejtësisë dhe fatit të keq. Lojtarët që kanë jetuar, për shembull në Munich, kanë mundur të vijnë, por jo nëse kanë jetuar në Bremen që ishte tërësisht i mbyllur. E njëjta ishte me Napolin. Ishte shumë frustruese. Maqedonia ka pasur lojtarë nga Italia, nga Genoa për shembull, dhe lojtarët më të mirë të saj kanë mundur të vijnë. Të gjithë në Kosovë e përjetuan si humbje të madhe. Pritjen ishin shumë të mëdha, ishte vështirë të pranohet”, ka thënë Challandes.

Ai ka pranuar se është përballur me presion të madh. Se ia kanë përmendur faktin se Kosova nuk ka fituar për një vit. Dhe për Challandesin ishte një vit i vështirë.

“Ne tani do t’i luajmë ndeshjet kualifikuese për Botëror, nëse situata shëndetësore nuk keqësohet. Por nuk e di se cili do të jetë disponimi. Nëse jeni në Prishtinë dhe përkraheni nga 13 mijë njerëz që ndeshjen e shohin si festë dhe mijëra të tjerë janë përreth stadiumit, në aspektin emocional është e mahnitshme. Nëse nuk ka shikues, nuk është ngjarja e njëjtë, nuk është sporti i njëjtë. Sot e kryej punën sa më mirë që është e mundur, por nuk e kam më atë anën pasionante”, ka shtuar Challandes.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme