Shtëpia evropiane e futbollit (UEFA) ka dhënë sinjale pozitive për Kupën “Shën Tereza”, që është projekt i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) dhe Federatës Shqiptare të Shqipërisë (FSHF), e ku mendohet të përfshihen klubet e të gjitha kategorive nga të dyja vendet.
E ideuar të zhvillohet me fazë të grupeve, sikurse Liga e Kampionëve dhe gjatë një stinori të rregullt, paralelisht me kampionatet nacionale, liga e përbashkët duhet të marrë miratimin e UEFA-s.
FFK-ja dhe FSHF-ja, së bashku, kanë dërguar kërkesën për pëlqim dhe po presin përgjigjen zyrtare nga UEFA, që në parim, sipas zyrtarëve në Kosovë, është dakorduar me një ide të tillë, shkruan Koha Ditore.
Kreu i FFK-së, Agim Ademi, të mërkurën për gazetën ka thënë se UEFA ka dhënë sinjalet e para pozitive për krijimin e kësaj lige, që sipas tij do të jetë mundësi shumë e mirë për skuadrat, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Ai ka thënë se vendimi i UEFA-s do të vijë shpejt, pasi sipas tij, kërkesa ka mbetur të shqyrtohet edhe nga një komision i këtij institucioni. Sipas Ademit, ideja e FFK-së dhe FSHF-së për krijimin e këtij turneu është pëlqyer nga UEFA. Ai shton se UEFA kërkon promovimin e futbollit.
Kupa “Shën Tereza” tashmë është prezantuar si projekt nga federatat dhe shumë shpejt pritet të prezantohet edhe në nivele qeveritare të dy vendeve. Ngecja në formimin e Qeverisë në Kosovë ka ngadalësuar paksa projektin.