Karikatura e fundit në faqen e parë të së përjavshmes satirike franceze, Charlie Hebdo, nuk u prit mirë nga britanikët. Në të shfaqet Mbretëresha Elizabeth që shtyp gruan e Princit Harry në tokë me gjurin në qafë si në rastin e afro-amerikanit të vrarë nga një oficer policie në Minneapolis, SHBA.
“Pse u largua Meghani nga Buckinghami?”, është titulli. Përgjigjja të kujton fjalët e fundit të George Floydit: “Sepse nuk mund të merrja më frymë”.
Një koment “alla Charlie” i lidhur me intervistën, në të cilën Meghani tha se ishte në prag të vetëvrasjes për shkak të mënyrës se si u trajtua në oborrin mbretëror. Në intervistën me Oprah Winfreyn, dolën po ashtu akuza për racizëm ndaj Pallatit mbretëror britanik.
Ndërkohë, sot shtypi konservator britanik reagoi furishëm për karikaturën e Charliet, revistë e njohur për nxitjen e reagimeve të mëdha. Padyshim reagimi më i madh i nxit pasi u botua karikatura me profetin Muhamed, për çka dyshohet se çoi te sulmi në redaksinë e kësaj reviste ku u vranë disa persona.
Sipas një sondazhi të “YouGov”, popullariteti i Princit Harry dhe gruas së tij ra në Mbretërinë e Bashkuar pas intervistës që dhanë te emisioni i Winfreyt: me 15 e 13 pikë përkatësisht, për më pak se dy javë.
Karikatura e fundit, e cila përfshinë edhe vdekjen e George Floydit, shkaktoi zemëratë në të gjithë Britaninë e Madhe.
“Charlie Hebdo është i rremë në të gjitha nivelet”, shkroi në Twitter, Halima Begum, kryetare e grupit kundër racizmit, “Runnymede Trust”.
“’Mbretëresha si vrasësi i George Floyd që shtyp qafën e Meghanit?’. ‘Meghan që thotë se nuk mund të marrë frymë?’. Është diçka që kalon çdo kufi, që nuk e bën të qeshë askënd. Redukton problemin dhe shkakton fyerje në të gjitha nivelet”, ishte postimi i saj.
Floyd, një afro-amerikan u vra, teksa polici që e arrestoi ia vuri gjurin në qafë. Në ato momente ai u dëgjua të thoshte se nuk po mund të merrte frymë.
Ndërkohë princi Harry dhe bashkëshortja e tij, Meghan, kanë lëshuar Pallatin mbretëror para pak kohësh e së fundit edhe kanë folur për këtë, duke nxitur reagime të mëdha.