Këshilltari i lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, e ka cilësuar të rëndësishme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të formohet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, teksa ka thënë se ka dallim të madh mes Republikës Sërpska në Bosnjë dhe Asociacionit në të ardhmen.
Ndërkaq fushatën e Serbisë për çnjohjet e pavarësisë së Kosovës e ka cilësuar humbje kohe.
“Duhet të jem i qartë, nuk i ngjan Republikës Sërpska”, ka thënë Chollet në një intervistë për “N1”.
I pyetur për planin franko-gjerman, Chollet s’ka dhenë detaje, por ka shtuar se “SHBA-ja përkrah dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian me qëllimin e normalizimit, në drejtim të njohjes reciproke”.
Për mundësinë e pranimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara ai ka thënë se do të jetë e vështirë, por se SHBA-ja do të avokojë në vazhdimësi për të.
“Përpjekjet për çnjohje të Kosovës në komunitetin ndërkombëtar, janë humbje kohe dhe energjie”, ka theksuar ai.