Këshilltari i Lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, shprehet i shqetësuar me vendimin e fundit të Kosovës që të mos lejojë qarkullimin e veturave me targa ilegale serbe “KM”, me regjistrim të rinovuar.
Chollet deklaroi se SHBA’të nuk kanë dashur të shohin pikërisht këso veprime, dhe tha se këtë e bëri të qartë edhe gjatë vizitës së tij të fundit në rajon, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Fatkeqësisht, ky është pikërisht ai lloj hapi që nuk kemi dashur ta shohim. Kur kam qenë në rajon javën e kaluar, e kam bërë shumë të qartë se Shtetet e Bashkuara duke punuar me partnerët evropianë duan të dalin nga punët e diplomacisë së krizave – ne, thjesht kalojmë nga një krizë në tjetrën – dhe të ecim përpara në dialogun që udhëhiqet dhe ndërmjetësohet nga BE’ja, drejt normalizimit që bazohet në njohje reciproke”, tha Chollet për Radio Evropa e Lirë.
Ky veprim, theksoi Chollet, nuk është në përputhje me marrëveshjen e nëntorit të arritur në Bruksel.
“Mendoj se hapat e 24 orëve të fundit, që ka shpallur Prishtina, nuk janë në përputhje as me letrën dhe as me frymën e marrëveshjeve të arritura në fund të nëntorit, të cilat kanë shmangur një krizë të mëparshme. Mendojmë se asnjëra palë nuk duhet të ndërmarrë veprime të njëanshme tani. Ne duhet të kemi një rrugë të koordinuar përpara në mënyrë që këto gjëra të mos i përshpejtojnë llojet e krizave që ne me të vërtetë duhet t’i shmangim.”
Derisa foli edhe për vizitën e pesë emisarëve të Perëndimit që do të vinë për vizitë në Kosovë të premten për të diskutuar për dialogun, Chollet tha se ky veprim i autoriteteve të Kosovës mund ta ndërlikojë procesin, dhe të çojë në një tjetër krizë.
“Ky lloj njoftimi krijon një shpërqendrim dhe mund të çojë në një krizë që e bën të gjithë këtë përparim shumë më të vështirë”, theksoi Chollet.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, dje deklaroi se Policia e Kosovës ka hasur në kufi në disa vetura me targa ilegale të riregjistruara në dhjetor të vitit të kaluar, një muaj pas arritjes së marrëveshjes në Bruksel për targat.
Sveçla njoftoi se këyre veturave nuk do t’u lejohet qarkullimi derisa tha se Serbia e ka shkelur dakordimin.
“Serbia është pajtuar që të ndalojë prodhimin e targave ilegale dhe ri-regjistrimin e atyre ekzistuese. Duke u bazuar në rastet që janë paraqitur në pikat tona kufitare, Serbia ka shkelur në tërësi këtë dakordim”, tha ministri Sveçla.