“Chopin Piano Fest” ka nisur mbrëmë edicionin e 10-të jubilar. Për 16 net, artistë me renome botërore, nga Kosova dhe diaspora do të performojnë kryevepra nga mjeshtrit e shquar të muzikës pianistike, kamertale dhe orkestrale, raporton Ekonomia Online.
Për 10 vjet, përkundër vështirësive festivali nuk u ndal. Ai u karakterizua gjithmonë me programin e pasur që ofronte, gjithashtu edhe publikun e cili ka dhënë duartrokitje dhe përkrahje në çdo edicion.
Hapja e festivalit nisi të hënën me pianistin Giovanni Bellucci. Koncerti filloi në ora 20:00 në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare.
Organizatorët e festivalit thonë se ky festival e ka sjellë vërtet Prishtinë në qendër të vëmendjes së ngjarjeve kulturore të rëndësishme dhe shumë artistë, organizata, tashmë e njohin vlerën që ky festival ka krijuar.
“Na mbetët vetëm të ju urojmë një mbrëmje të këndshme dhe ta festojmë bashkë 10-vjetorin e këtij festivali dhe të shohim si do të vazhdojmë më tutje, si të realizojmë një sallë, një vend që i zë të gjithë të interesuarit që të kemi program dhe kushte më të mira”, tha drejtoresha organizative e këtij festivali, Besa Luzha.
Festivali do të vazhdojë me koncertet e radhës deri më datë 28 prill në po të njëjtin vend.
Ndërsa koncerti me Filharmoninë do të mbahet në Sallën e Kuqe, ndërsa mastërklasat dhe garat për çmimin special të Chopin-it në Fakultetin e Arteve.