Njëri nga hartuesit e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kadri Kryeziu, ka komentuar situatën e krijuar pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj të premten.
Ai për klankosova.tv ka thënë se pas largimit nga detyra të Haradinajt, Kushtetuta e parasheh që të organizohen zgjedhjet e jashtëzakonshme.
“Brenda 10 ditëve nga shpërbërja e qeverisë, presidenti i vendit duhet t`i mbledhë të gjithë liderët e partive në vend dhe të diskutojë për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Por kjo nuk duhet të bëhët më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga dita e shpërbërjes së qeverisë”.
Kryeziu ka thënë se ka edhe një mënyrë tjetër, me të cilën evitohen zgjedhjet e jashtëzakonshme, edhe pse i dorëhequri Haradinaj bëri thirrje për mbajtje të zgjedhjeve.
“Ekziston edhe një mundësi tjetër që nga koalicioni qeverisës (PANA), të zgjidhet një kandidat tjetër për postin e kryeministrit dhe i njëjti të votohet në Kuvend për këtë post. Mirëpo duke parë situatën e fundit me numrat në parlament, kjo mundësi është vështirë e realizuar”.
Dorëheqja e Ramush Haradinajt nga posti i shefit të Qeverisë, sipas Kryeziut ka mohuar edhe krijimin e një qeverie teknike me ndonjë marrëveshje mes partive, pasi një gjë e tillë nuk është e mundur në rastin kur kryeministri dorëhiqet.