Muzika është një ndër pasionet e tyre më të mëdha, por duket se nuk ka qenë e mjaftueshme. Janë të shumtë artistët e skenës shqiptare që kanë vendosur të studiojnë për diçka krejt tjetër nga ajo që bëjnë realisht. Motivet e këtyre përzgjedhjeve kanë qenë të ndryshme. E pavarësisht se janë diplomuar, pak prej tyre i ushtrojnë profesionet e tyre të vërteta.
Por cilat janë degët në të cilat janë diplomuar yjet? Disa prej tyre do t’ju surprizojnë.
Elvana Gjata është një nga këngëtaret më të kompletuara dhe më të suksesshme në vend, por artistja ka zgjedhur mos të studiojë për kanto. Elvana është diplomuar në Universitetin e Tiranës për regjisurë, një degë që aktualisht nuk e ushtron, por me gjasë dijet i shfrytëzon në klipet e saj.
Zajmina Vasjari mund të cilësohet nga shumëkush si një vajzë seksi, por këngëtarja do t’ju surprizojë me profesionin e saj të vërtetë. Zajmina ka studiuar për arkitekturë në një nga universitetet private në Tiranë. Ndonëse është shprehur shumë krenare diplomimin, Zajmi ende nuk e ka ushtruar këtë profesion.
Eneda Tarifa e ka shumë përzemër filozofinë dhe këtë e dallojmë jo vetëm nga tekstet e këngëve të saj por edhe nga koha që i ka kushtuar në studim. Këngëtarja është diplomuar në një universitet privat për Filozofi, megjithatë deri tani e kemi parë vetëm në rolin e këngëtares, prezantueses dhe aktores së humorit.
Ndryshe nga sa përmendëm më lart, Rosela Gjylbegut i ka shërbyer diploma. Këngëtarja e njohur ka përfunduar universitetin për Shkenca Politike, ndërsa prej disa vitesh është e punësuar në Kuvendin Shqiptar.
“Marrëdhënie me publikun” është një diplomë mjaft e pëlqyer në vendin tonë, sidomos nga artistet. Disa nga emrat që kanë ndjekur këtë fakultet janë Xhensila Myrtezaj dhe Enca Haxhiaj.
Vesa Luma ka studiuar për gazetari dhe e ka ushtruar këtë profesion. Këngëtarja aktualisht drejton një emision televiziv në Kosovë, të quajtur “E diela me Vesën”. Ndërkohë, partneri i saj Big Basta ka studiuar për Shkenca Sociale, profesion që deri tani nuk e ka vënë në zbatim.
Ingrit Gjoni është mjaft e talentuar, por profesioni i saj i vërtetë nuk është muzika, por aktrimi. Këngëtarja e njohur është diplomuar në Universitetin e Tiranës në degën Aktrim, një pasion që duket se i është injektuar nga motra e saj Inis, e cila është regjisore.
Muzika është sigurisht një pasion i madh për Eliza Hoxhën, por po aq e madhe për të është edhe dashuria për arkitekturën. Këngëtarja, veçse është një arkitekte e shquar në Kosovë është edhe pedagoge e të njëjtës lëndë në Universitetin e Prishtinës.
Askush nuk do ta mendonte që Eni Koçi është një vajzë studioze. Këngëtarja e re është aktualisht duke ndjekur studimet për mjekësi në një universitet në Londër. Në të ardhmen Enin mund ta shohim edhe si mjeke, meqë për shkak të studimeve ajo është tërhequr paksa nga muzika.
Në fushën e mjekësisë është diplomuar edhe artisti Armend Rexhepagiq. Këngëtari dhe kompozitori nga Kosova ka kryer studimet për stomatologji, por deri tani nuk e kemi parë në rolin e dentistit, e ndoshta nuk do ta shohim kurrë.
Marsela Çibukaj dhe Zanfina Ismaili kanë zjedhur drejtësinë për atë që mund të konsiderohet si profesioni i tyre i vërtetë.
Ndërsa Samanta Karavella ka studiuar në Universitetin e Tiranës për Gjuhë të Huaja, më saktësisht për Spanjisht, ashtu si Soni Malaj, frengjisht.