Më 16 shkurt, organizata jo-qeveritare Germin, në kuadër të iniciativës Dialogu i Strukturuar për të Drejtat e diasporës ka realizuar takimin e parë virtual me komunitetin e diasporës me temën Cili është roli i diasporës shqiptare në proceset politikëbërëse në Kosovë?duke mbledhur së bashku përfaqësues nga 9 shtete të ndryshme të botës.
Gjatë takimit 80 minutësh, që pati interes edhe nga publiku, mërgimtarët nga bota e biznesit dhe shoqërisë civile, rekomanduan se si është më së miri që interesat e diaspora të kanalizohen dhe të fillojë një bashkëbisedim në mes mërgates dhe institucioneve publike.
Pjesëmarrësit e takimit ishin: Lulzim Syla (Gjermani), Brikena Muharremi (Angli), Amet Gjanaj (Belgjikë), Ruki Kondaj (Kanada), Osman Osmani (Zvicër), Lindita Fetiu-Sina(Austri), Arbër Bullakaj (Zvicër), Liza Gashi (Kosovë, Germin) dhe moderator Alban Pruthi (Washington D.C).
Gjatë këtij bashkëbisedimi u diskutua rreth nevojës dhe rëndësisë që të dihet numri i saktë i shqiptarëve jashtë vendit, në mënyrë që diaspora të angazhohet në proceset politikëbërëse, si p.sh përfaqësimin e diasporës në Parlament, që sipas tyre nevojitet një zë që të përfaqësojë interesat e diasporës; gjithmonë, duke pasur kujdesin që të mos polizitohet mërgata. Andaj, ata propozuan që të delegohen përfaqësuesit e diasporës në Kuvend dhe në komisionet e kuvendit për të ngritur çështjet që atyre u interesojnë dhe që Qeveria e Kosovës duhet të rregullojë çështjen e votimit për pjesëtarët e diasporës dhe t’i motivojë ata ta dërgojnë votën e tyre në zgjedhjet lokale dhe nacionale.
Panelistët sugjeruan për krijimin e një databazë për profesionistët, përfshirjen e diasporës si ekspertë në fusha të ndryshme, krijimi i mekanizmave lehtësues për investime në Kosovë, krijimin e një platforme gjithëpërfshirëse për t’i transmetuar njohuritë etj.