Njëra ndër çështjet më të rëndësishme, njëkohësisht edhe më të ndjeshme, me të cilën janë përballur disa qeverisje të Kosovës është dialogu me Serbinë, i nisur në vitin 2011.
Procesi i dialogut, i cili po vazhdon edhe më tej nuk ka arritur ende qëllimin final, pra normalizimin e plotë të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Procesi i dialogut Kosovë-Serbi, po zhvillohet edhe më tej me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.
Në lidhje me pritshmëritë e këtij procesi, për Gazetën InLajmi ka folur ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, e cila tha se bazë e këtij dialogu është koordinimi i Qeverisë së Kosovës me partnerët ndërkombëtarë, si SHBA-të dhe BE-në.
‘’Qeveria e Kosovës, si bazë e procesit të dialogut, duhet të tregohet serioze, konsistente dhe të ketë koordinim të botëkuptimshëm me partnerët tanë ndërkombëtarë, dialogu është vetëm një instrument përmes të cilit Kosova kërkon njohjen reciproke’’,tha Çitaku.
Sipas Çitakut, procesi i dialogut, duhet të mbyllet me njohje reciproke, ndërsa ritheksoi faktin po ashtu se Kosova duhet të jetë insistuese deri në arritjen e kësaj marrëveshje.
‘’Duke i marrë parasysh ndryshimet e mëdha në kontekstin gjeopolitik, Kosova duhet të insistojë për një dialog të kornizuar në kohë dhe siç e thashë ky proces të mbyllet me njohje reciproke”,ritheksoi ajo.
Nënkryetarja e PDK-së, më tej, ka folur edhe sa i përket të arriturave të Qeverisë Kurti, në një vit qeverisje.
‘’Nuk kemi pasur ndonjë të arritur, në fund e shohim dhe diskutojmë!’’,tha Çitaku.
Ndryshe, pas 3 muaj e gjysmë pauzë në negociatat ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, negociatorët kryesorë të të 2 palëve janë takuar të martën në Bruksel, shkruan InLajmi.
Në këtë takim që është mbajtur në mes të Kosovës dhe Serbisë, është diskutuar për çështjen e personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë, për ndjeshmërinë dhe urgjencën e një zgjidhjeje sa më të shpejtë si dhe për çështjen e targave të veturave.