Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku në një konferencë për media, ka ftuar të gjithë qytetarët e komunave në balotazh, të cilët kanë të drejtë vote dhe nuk kanë votuar ende, ta shfrytëzojnë këtë të drejtë, raporton Ekonomia Online.
Çitaku tha se sot është ditë feste për demokracinë dhe dita vendimtare kur qytetarët e japin verdiktin për të ardhmen katër vjeçare të komunave të tyre.
“Kanë mbetur vetëm edhe 1 orë e gjysmë kohë deri në mbylljen e vendvotimeve në komunat në balotazh. Sot është ditë feste për demokracinë, është dita vendimtare ku ju jepni verdiktin për të ardhmen katër vjeçare të komunave tuaja. Prandaj, ju ftoj sërish të gjithë juve që keni të drejtë vote dhe nuk e keni shfrytëzuar ende, të dilni të votoni për ata që do të ju udhëheqin në 4 vitet e ardhshme.”, theksoi ajo.
Nënkryetarja Çitaku potencoi se këto Zgjedhje Lokale nuk janë për politikanët, por për qytetarët e Kosovës, të cilët me votën e tyre do ta fuqizojnë demokracinë dhe shtetin e Kosovës.
“Bazuar në informacionet e marra nga vëzhguesit dhe komisionerët tanë, të angazhuar në tërë territorin e vendit, procesi zgjedhor po ecë mbarë, pa ndonjë parregullsi. Edhe një herë, bëj thirrje që të shfrytëzoni kohën e mbetur deri në mbyllje të vendvotimeve dhe të dilni e të votoni dhe të zgjedhni udhëheqësit tuaj më të mirë. Shpresoj që në fund të ditës, demokracia të jetë fituesi më i madh i këtyre zgjedhjeve.”, përfundoi ajo.