Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot në një intervistë për gazetën italiane “La Repubblica” ka thënë se ekziston rreziku për një konflikt të ri mes Kosovës dhe Serbisë.
Çitaku, nëpërmes një statusi në Facebook, ka bërë thirrje që të mos ndillet frikë e panik, pasi luftë nuk mund të ketë.
“Nuk ka me pasë luftë në Kosovë. Mos ndjellni frikë e panikë. NATO është garantues i sovranitetit të Kosovës. Serbia e di shumë mirë çka sjellë një konflikt i hapur me NATO. E ka provu”.
“Ka pasë luftë në Kosovë para 23 vitesh. Disa prej nesh kemi qenë të rritur dhe kemi pasë mundësinë me luftu atëherë”, ka shkruar Çitaku, duke thumbuar Kurtin, i cili nuk ka qenë pjesë e luftës.
Sipas ish-ambasadores së Kosovës në ShBA, Serbisë sot më së shumti i konvenon “status quoja”. “Dhe mundësisht me folë për stikersa e barrikada”.
“Lufta konvencionale ka përfunduar. Tash betejat janë të një natyre tjetër”, përfundon nënkryetarja e PDK-së.
Kryeministri i Kosovës, Kurti, në një intervistë për gazetën italiane “La Repubblica” ka tërhequr vëmendjen se ekziston rreziku për një konflikt të ri mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas Kurtit, marrë parasysh se pas Serbisë qëndron lideri rus, Vladimir Putin, edhe rreziku për konflikt mbetet i lartë.
“Rrezikojmë luftë. Pas Serbisë është Putini. Nuk do të thosha se rreziku është shumë i madh, sepse ne kemi edhe një kontingjent të NATO-s këtu, por sigurisht që është i lartë. Ne jemi një demokraci që kemi një autokraci në kufij”, tha Kurti.
Duke folur për masat e fundit të Qeverisë së Kosovës për targat dhe reciprocitetin për dokumente me Serbinë, Kurti ka thënë se serbët kanë 48 baza rreth Kosovës dhe se protestat në veri ishin të organizuara nga Beogradi, me mbështetjen e Rusisë.
Sipas tij, protestat e një jave më parë në veri nuk ishin spontane, por të organizuara nga Beogradi me mbështetjen e Rusisë.
“Serbët kanë 48 baza nëpër Kosovë. Protestat nuk kanë qenë spontane, ato janë organizuar nga Beogradi me mbështetjen e Rusisë”, ka thënë Kurti për “La Repubblica”.