Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, ka falënderuar kongresistit Eliot Engel, i cili pas 32 viteve largohet nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara.
Engel ishte së fundi kryetar i Komitetit për Politikë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve.
Ambasadorja Çitaku ka thënë se gjatë përfaqësimit të Kosovës në WashingtonDC ka takuar shumë zyrtarë amerikanë, demokratë dhe republikanë njësoj.
“Të gjithë më përshëndetën me të njëjtin sentiment ‘’Oh, ti je Ambasadore e Kosovës?! Ne dimë gjithçka për vendin tënd. Engel flet gjatë gjithë kohës për të’.
Faleminderit @RepEliotEngel”, ka shkruar Çitaku në një postim në Facebook.
“Pas 32 vjetëve të shkëlqyeshme, sot është dita ime e fundit si anëtar i Kongresit. Ka qenë nder jetësor t’u shërbej njerëzve të Bronxit dhe Westchesterit dhe jam përjetësisht falënderues që më është ofruar mundësia t’u përfaqësojë ju në Washington. Faleminderit që më keni dhënë besimin e juaj”, ka shkruar ndër të tjera kongresisti Engel në Facebook.
Ai më pas ka postuar fjalimin që e mbajti më 17 dhjetor.
Ndër të tjera në fjalim ai foli edhe për Kosovën dhe se si Kosova ka një vend të veçantë në zemrën e tij. Engeli njihet si përkrahës i madh i Kosovës.