Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Shën Luçias kanë nënshkruar marrëveshje bilaterale për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe atyre zyrtare.
Marrëveshja midis dy vendeve është nënshkruar në Washington nga ambasadorja e Kosovës, Vlora Çitaku dhe ambasadori Anton E. Edmunds, në emër të Qeverisë së Shën Luçias.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Çitaku përmes një postimi në Facebook.
Nënshkrimin e kësaj marrëveshje ajo e ka quajtur lajm të mrekullueshëm.
Për nënshkrimin e kësaj marrëveshje ka njoftuar edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës.
Aty njoftohet se shtetasit e secilit shtet që posedojnë pasaportë të vlefshme diplomatike ose zyrtare mund të hyjnë, të qëndrojnë, të dalin dhe të kalojnë nëpër territorin e shtetit të palës tjetër pa viza, për një periudhë që nuk kalon nëntëdhjetë (90) ditë.
“Kjo periudhë mund të zgjatet për nëntëdhjetë (90) ditë të tjera të qëndrimit pa viza nga autoritetet kompetente të shtetit të palës tjetër, me kusht që kohëzgjatja e qëndrimit të tyre të mos kalojë nëntëdhjetë (90) ditë brenda një periudhe prej njëqind e tetëdhjetë ( 180) ditëve”, thuhet në njoftim.
Theksojmë se më 3 mars, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kishte njoftuar se janë propozuar për t’u larguar nga misionet diplomatike ambasadorët politikë që iu ka përfunduar mandati 4-vjeçar, në mesin e tyre edhe ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku.