Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar pas vendimit të fundit të Gjykatës, duke e cilësuar atë si një çështje që, sipas saj, prek jo vetëm historinë, por edhe kujtesën kolektive.
Në një postim të publikuar në rrjetet sociale, Çitaku ka akuzuar Gjykatën dhe sponsorët e saj se përmes këtij vendimi synojnë, siç shprehet ajo, “me na thy në kurriz”.
“Ky vendim nuk është vetëm për historinë. Me këtë vendim, Gjykata dhe sponsorët e saj po duan me na thy në kurriz. Me na e marrë shpirtin. Me na lanë pa kujtesë, pa lavdi, pa dhimbje, pa kangë, pa lot”, ka shkruar Çitaku.
Ajo ka thënë se nuk do të pranojë, sipas saj, një përpjekje për t’i ndryshuar kujtesën dhe të vërtetën e përjetimeve të shqiptarëve.
“Po duan me na lanë veç me vegjetu. Me marrë frymë, po mos me jetu. Me na thanë: trusni. Boll që jeni gjallë. Po jo. U ba boll. Boll ma”, ka deklaruar ajo.
Çitaku ka theksuar se, sipas saj, qëndrimi ndaj këtij vendimi lidhet edhe me brezat e ardhshëm.
“Ne nuk kemi me u ndalë. Sepse ia kemi borxh historisë sonë, por edhe fëmijëve që kanë me lindë pas 100 vitesh, që të mos e trashëgojnë një histori të tjetërsuar”, ka shkruar ajo.
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së ka thënë se nuk do të ketë nënshtrim ndaj presioneve që, sipas saj, synojnë ndryshimin e kujtesës dhe të së vërtetës.
“Nuk kemi me u nënshtru përballë asnjë presioni që synon me na e ndryshu kujtesën, të vërtetën dhe atë që kemi përjetu. Deri në fund. Deri në liri”, ka shtuar Çitaku.