Çitaku reagon pas alarmit nga Beogradi për sulm terrorist ndaj serbëve në Kosovë

Prishtinë | 14 Tet 2018 | 18:55 | Nga Ekonomia Online

Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj agjencisë së lajmeve serbe “Kurir.rs”, pasi që kjo e fundit ka raportuar se Prishtina është duke përgatitur një sulm terrorist ndaj serbëve.

“Paralajmërim dramatik për shërbimet e sigurisë: Terroristët përgatisin sulm ndaj serbëve! Prishtina fshehurazi krijon një ushtri”, është titulli që ka bërë ambasadoren të reagojë.

Çitaku ka thënë se Kosova është vendi më pro perëndimorë në rajon dhe asnjë propagandë e sponsorizuar nga shteti serb nuk mund të ndryshojë këtë.

“Propaganda e sponsorizuar na Beogradi kurrë nuk pushon së mahnituri me imagjinatën e tyre. Kosova është vendi më pro SHBA dhe BE në rajon, anëtar aktiv i koalicionit kundër ISIS-it. Asnjë propagandë e sponsorizuar nuk mund ta ndryshojë vizionin dhe angazhimin tonë”, ka shkruar ambasadorja Çitaku në profilin e saj zyrtar në rrjetin social Facebook.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme