Emisari amerikan, Gabriel Escobar ka deklaruar sot se po kanë probleme të komunikojnë me Kryeministrin Kurti, e sipas tij jo vetëm SHBA-në, por edhe NATO-ja.
Për këtë ka reaguar edhe nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku.
Ajo ka cituar deklaratën e Escobarit dhe ka shtruar një pyetje.
“Pyetja është me kë po koordinihet Kryeministri, nëse jo me SHBA-të, BE-në, NATO-n, Shqipërinë? Ky është alarmi i fundit për ne”, ka shkruar Çitaku.
Escobar e ka pranuar se ekziston një çarje në komunikimet diplomatike mes SHBA-së dhe Kosovës.
“Partneriteti në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës është mes popullit amerikan dhe atij të Kosovës, nuk depërton përmes një njeriu në Kosovë, apo një partie. Mirëpo, më duhet të them që aktualisht kemi probleme në komunikim me kryeministrin [e Kosovës, Albin Kurtin]. Dhe jo vetëm SHBA-ja, është problem që e ka Kosova edhe me BE-në, NATO-n, Mbretërinë e Bashkuar dhe më shumë partnerë, përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.
Ai ka thënë se komunikimi me Kosovën ka qenë shumë i mirë në të kaluarën dhe shpreson që e njëjta situatë do të jetë edhe në të ardhmen.