Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka pasur dy javë në dispozicion për ta analizuar humbjen nga Liverpooli, derisa futbollistët e tij ishin larg me detyra në përfaqësuese.
Humbja 3:1 në “Anfield Road” ka lënë Cityn në pozitën e katërt në tabelë me 25 pikë, një më pak se Chelsea që është kundërshtari i radhës i kampionit të Anglisë. Dueli ndërmjet Cityt dhe Chelseat zhvillohet të shtunën (sot, 18:30) në “Etihad Stadiun” dhe është derbi i xhiros së 13-të në Premier League, transmeton Koha.net.
Pozita në tabelë dhe diferenca e pikëve me Liverpoolin që prin me 34 pikë, ka bërë që City në këtë ndeshje të futet me presion. Dështimi për ta mposhtur Chelsean në këtë derbi, do të krijonte mundësi që Liverpooli të shkëputet dhe City thuajse të përshëndetet nga mbrojtja e titullit.
Por, optimizmin te City e shtojnë lojtarët që kanë lënë prapa lëndimet si Ederson, David Silva e Rodri. Edicionin e shkuar, City pati shkatërruar Chelsean me rezultatin 6:0, por këtë herë situata është tjetër dhe këtë e pranon edhe mesfushori Fernandinho, i cili në mungesë të Aymeric Laportes së lënduar, po aktivizohet si qendërmbrojtës.