Më 20 mars, 2012, një dekret i nënshkruar nga ministri i Mbrojtjes, Anatoly Serdyukov u publikua nga Qeveria ruse. Ky dekret përcaktonte një sistem të pagesës për ushtarakët për “arritje të veçanta në shërbim”.
Neni 4 i këtij urdhri, për të cilën fillimisht raportoi Shërbimi rus i Radios Evropa e Lirë, thotë se “pjesëtarët e njësive ushtarake 99450, 74455 dhe strukturat e Njësisë ushtarake 29155 do të paguhen me një shtesë mujore”.
Atëbotë, këtij dekreti iu kushtua pak vëmendje: Dihej pak për njësitë, të cilat ishin nën ombrellën e agjencisë së inteligjencës ushtarake, të njohur si GRU.
Në vitet që pasuan, megjithatë, këto njësi u bën të njohura për publikun, pasi ndaj tyre u ngritën padi, u vendosën sanksione dhe ato u shfaqën edhe në deklaratat politike nga Uashingtoni e deri në Detin e Zi.
Njësia 29155 veçanërisht ka tërhequr vëmendje të madhe, pasi u lidh me komplotin për grusht-shtet në Mal të Zi më 2018 si dhe helmimet gati fatale të një ish-oficeri rus të inteligjencës ushtarake në Britani dhe të një tregtari armësh në Bullgari.
Tani, Qeveria e Republikës Çeke pretendon se anëtarët e kësaj njësie qëndrojnë prapa shpërthimit të vitit 2014 në një depo municioni, që ka tensionuar marrëdhëniet mes Pragës dhe Moskës, ku të dyja palët kanë dëbuar diplomatë dhe po shkëmbejmë retorikë të ashpër.
“Këta janë personat që ju dërgoni nëse dëshironi të prishni gjëra”, tha Mark Galeotti, ekspert i shërbimeve të sigurisë së Rusisë.
Policia çeke ruan zonën ndërsa protestuesit mblidhen përpara Ambasadës Ruse në Pragë.
Evolucioni i njësisë së inteligjencës
GRU – emri zyrtar i së cilës është Drejtoria Kryesore e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Federatës ruse – nuk është një njësi e re. Ka ekzistuar për dekada, duke operuar së pari paralelisht me KGB-në dhe më pas, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, ka operuar me agjencitë pasuese të KGB-së: Shërbimin Federal të Sigurisë dh Shërbimin e Jashtëm të Inteligjencës.
Përveç ofrimit të taktikave tradicionale në fushën e inteligjencës për komandantët rusë, agjencia gjithashtu mbikëqyr disa njësi të forcave speciale të njohura si spetsnaz, disa prej të cilave akuzohen për operacione të tipit të sabotazhit. Kjo agjenci po ashtu përfshihet në vëzhgimin elektronik dhe rekrutimin e spiunëve të huaj, si dhe më e rëndësishmja, në spiunazhin kinernetik dhe operacione kibernetike – hakimin në kompjuterët e armiqve dhe ndoshta edhe në futjen e kodeve shkatërruese në sisteme kompjuterike.
Njësitë spetznaz të GRU-së kanë pasur një rol të rëndësishëm në pushtimet e Bashkimit Sovjetik të Hungarisë më 1956 dhe të Çekosllovakisë më 1968. Dhe po ashtu, këto njësi kanë luajtur një rol të rëndësishëm në grusht-shtetin e vitit 1979 në Afganistan, që çoi në një dekadë shkatërruese të ndërhyrjes nga trupat sovjetike.
Lufta e vitit 2008 me Gjeorgjinë, ku GRU-ja ka luajtur po ashtu një rol të rëndësishëm, u konsiderua një fitore nga Kremlini, por kjo luftë vuri në pah probleme të mëdha në forcat ruse. Kremlini ndërmorri reforma të mëdha, përfshirë edhe në GRU.
Njësia 29155 dhe njësi të ngjashme, me gjasë janë formuar gjatë këtyre reformave, thotë Galeotti dhe ekspertë të tjerë.
Që prej vitit 2018, kjo agjenci udhëhiqet nga oficeri i marinës, admirali Igor Kostyukov, i cili i raporton direkt shefit të shtabit të përgjithshëm, gjeneralit Valery Gerasimov dhe ministrit rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, që është një njeri i afërt i presidentit, Vladimir Putin.
Kjo nënkupton se operacionet e mëdha që mund të kenë pasoja të mëdha politike – siç është përdorimi i agjentit nervor të nivelit ushtarak, të prodhuar në kohën sovjetike, që u prodhua në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar– kanë miratimin e hierarkisë së lartë në Kremlin.
Dasmë në afërsi të Moskës
Natyra sekrete e operacioneve të inteligjencës në Rusi ose kudo tjetër, nënkupton se ka informacione të pakta që mund të verifikohen, lidhur me Njësinë 29155: për buxhetin dhe personelin e kësaj njësie.
Megjithatë, gazetarët, hulumtuesit dhe agjencitë e zbatimit të ligjit në vendet Perëndimore kanë qenë në gjendje që të mbledhin informacione substanciale lidhur me këtë njësi.
Njësia 29155 raportohet se është e lidhur me Komandën e Forcave të Operacioneve Speciale, që ka selinë në Senezh, në veri të Moskës. Komandanti i kësaj komande besohet se është gjeneralmajori Andrei Averyanov, vajza e të cilit u martua në një vend në afërsi të Senezhit më 2017.
Averyanov u bë i njohur për publikun në fundin e vitit 2019, kur The New York Times, REL-i dhe media të tjera, zbuluan fotografi dhe video nga dasma, ku ishte i pranishëm ai si dhe një person i quajtur Anatoly Chepiga, i cili besohet se është anëtar i Njësisë 29155.
Në kohën kur u mbajt kjo dasmë më 2017, Chepiga nuk ishte një figurë e njohur për publikun. Por, fytyra e tij dhe pseudonimi i i tij – Ruslan Borshirov – u bë lajmi kryesor nëntë muaj më vonë, kur ish-oficeri i inteligjencës ushtarake ruse, Sergei Skripal dhe vajza e tij, Yulia gati vdiqën në Salsbëri të Anglisë.
Dy agjentët rusë që kanë përdorur pseudonimet Alesander Petrov dhe Ruslan Boshirov.
Dy agjentët rusë që kanë përdorur pseudonimet Alesander Petrov dhe Ruslan Boshirov.
Zyrtarët britanikë thanë se Skripalët ishin helmuar me agjentin nervor, Noviçok dhe thanë se dy oficerë të GRU-së qëndronin pas këtij helmimi.
Organizata hulumtuese Bellingcat më vonë publikoi të dhëna, duke identifikuar identitetin e vërtetë të dy personave: Chepiga dhe Aleksandr Mishkin.
Tetë muaj më vonë, në nëntor të vitit 2018, GRU-ja festoi 100-vjetorin e themelimit dhe në ceremoninë që u mbajt në Moskë, mori pjesë edhe presidenti Putin.
“Si komandant suprem, natyrisht di, dhe kjo nuk është ekzagjerim, në lidhje me aftësitë tuaja unike, duke përfshirë edhe kryerjen e operacioneve speciale”, deklaroi ai.
Presidenti rus, Vladimir Putin duke folur në ceremoninë e 100-vjetorit të themelimit të GRU-së. Nëntor, 2018.
Presidenti rus, Vladimir Putin duke folur në ceremoninë e 100-vjetorit të themelimit të GRU-së. Nëntor, 2018.
Një mori zbulimesh
Përveç se rezultoi me dëbimin e dhjetëra diplomatëve rusë nga Britania, Gjermani, Shtetet e Bashkuara dhe gjetkë, rasti i Skripalëve gjithashtu nxiti agjencitë e inteligjencës në mbarë Evropën që të rishikonin rastet e vjetra.
Këtu u përfshi edhe helmimi pothuajse fatal në prill dhe maj të vitit 2015, në Sofja, i një tregtari armësh të quajtur Emilian Gebrev. Prokurorët bullgarë kishin bërë pak përparim në këtë çështje deri para katër vjetësh – dhe më shumë se një vit pas helmimit të Skripalëve – kur njoftuan se do të rihapnin hetimin për këtë çështje, pjesërisht për shkak të informacionit që kishin marrë nga autoritetet britanike.
Dhjetorin e atij viti, zyrtarët bullgarë thanë se hetimi i tyre ishte fokusuar në pesë agjentë të dyshuar të GRU-së, përfshirë një oficer të lartë, i cili supozohet se kishte mbikëqyrur ekipin që helmoi Sergei Skripalin. Muajin pasues, prokurorët bullgarë njoftuan se kanë ngritur akuza ndaj tre rusëve.
Në një raport të përbashkët me Der Spiegel dhe The Insider, organizata Bellingcat, duke përdorur informacione të gjurmimit të fluturimit, të të dhënave të databazave dhe të dhënave të telefonave celularë, tha se deri në tetë oficerë të GRU-së nga e njëjta njësi – Njësia 29155 – mund të kenë udhëtuar në Bullgari në javët kur ndodhi helmimi.
Në një analizë të re, të publikuar më 22 prill, duke përdorur disa prej të dhënave të udhëtimeve të Bellingcat, Shërbimi bullgar i REL-it, gjurmoi udhëtimet e disa prej oficerëve të njohur të GRU-së brenda dhe jashtë Bullgarisë dhe zbuloi se në kohën e vizitave të tyre, më 2014 dhe 2015, kanë ndodhur një seri e shpërthimeve të pashpjegueshme në ndërtesat ku ruheshin armët dhe municionet në Bullgari.
Të paktën një zyrtar bullgar, ish-ministri i Mbrojtjes, Todor Tagarev, u ka bërë thirrje autoriteteve që të rihapin hetimet e tyre për këto shpërthime.
Galeotti thotë se viti 2014 duket të jetë viti kryesor i operacioneve të GRU-së – vit kur agjencia dhe Njësia 29155 në veçanti, u bë më agresive dhe kreu operacione më të gjera. Pse viti 2014?
Kjo ishte periudha e protestave disamujore të Maidanit në Ukrainë, që arriti kulmin me dhunën kundër protestuesve dhe rrëzimin e presidentit, Viktor Yanukovych, një politikan mjaft miqësor me Moskën. Rusia u kundërpërgjigj duke aneksuar Gadishullin ukrainas të Kriemesë dhe nxiti një luftë në lindje të Ukrainës, luftë kjo që vazhdon edhe sot e kësaj dite.
“Ne nuk e kuptuam mjaft mirë – gjë që e bën rastin e Çekisë edhe më interesant – që viti 2014 shënon fillimin e procesit, një reagim të asaj që e pamë si vazhdim të Maidanit dhe të këtij besimi (në Moskë) se Perëndimi po mundohet të na e vjedhë Ukrainën”, thotë Galeotti.
“Rusia e konsideron veten se është në luftë politike me Perëndimin dhe nga ajo pikë, ishte e gatshme që të bënte luftë në tokën perëndimore”, thekson ai.
“Ata ishin të gatshëm të kryenin një operacion mjaft të rrezikshme, që prej vitit 2014”, tha Galeotti për Radion Evropa e Lirë?
Komploti në Mal të Zi, armët në Ukrainë?
Njësia 29155 nuk njihet shumë për sulme kibernetike apo për hakime. Këto aktivitete udhëhiqen nga divizione të tjera të GRU-së – Njësia 26165 dhe Njësia 74455, ndaj të cilave autoritetet amerikane kanë ngritur padi dhe i akuzojnë për hakime që lidhen me procesin zgjedhor – dhe nga Shërbimi i Jashtëm i Inteligjencës.
Por, Njësia 29155 është lidhur me të paktën një përpjekje për ndërhyrje kibernetike. Në tetorin e vitit 2018, zyrtarët holandezë thanë se dyshohet se agjentët e GRU-së u përpoqën që të sulmonin kompjuterët e Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, që e ka selinë në Hagë. Kjo organizatë ishte thellësisht e përfshirë në hetimin e substancës që u përdor për helmimin e Skripalëve.
Dy vjet më herët, në tetorin e vitit 2016, autoritetet malazeze pretenduan se parandaluan një komplot për të marrë nën kontroll ndërtesën e parlamentit dhe për të vrarë kryeministrin. Sipas autoritetet, përmes këtij komploti synohej që të parandalohej anëtarësimi i Malit të Zi në NATO.
Në hetimet dhe gjykimin që pasoi, u ngritën aktakuza ndaj 14 personave, përfshirë edhe qytetarë serbë dhe rusë. Prokurorët ngritën akuza ndaj dy operativëve të inteligjencës ushtarake ruse, Eduard Shishmakov dhe Vladimir Popov.
Personat e përfshirë në rastin “Grusht shteti” gjatë një paraqitjeje në Gjykatën e Lartë të Malit të Zi.
Shishmakov dhe Popov ishin në mesin e atyre që u dënuan –në mungesë – në maj të vitit 2019. Por, një gjykatë në Mal të Zi shfuqizoi vendimin për dënim në shkurtin e vitit 2021, duke theksuar se ka pasur “shkelje të procedurave gjyqësore” dhe duke kërkuar nga Gjykata e Lartë që të rikthente në gjykim këtë çështje.
Vladimir Popov është pseudonim i një personi që është identifikuar si Vladimir Moiseyev, i cili po ashtu kishte udhëtuar në Bullgari të paktën katër herë më 2014, në periudhën kohore kur kishin ndodhur katër shpërthime në fabrikat e armëve në Bullgari.
Më 16 tetor, 2014, në një depo armësh në afërsi të qytetit Vrebetice në Çeki, ndodhi një shpërthim, rrethanat e të cilit janë ende misterioze, dhe më pas, trupat e pajetë të dy çekëve u gjetën.
Është e paqartë se sa larg shkoi hetimi fillestar çek për këtë shpërthim dhe për një shpërthim tjetër, që ndodhi dy muaj më vonë.
Por, më 17 prill, në një konferencë për media, kryeministri çek, Andrej Babis, njoftoi se inteligjenca çeke kishte ardhur në përfundim se Njësia 29155 qëndronte pas, të paktën të shpërthimit të parë. Policia çeke tha se po kërkonte për t’i marrë në pyetje dy personat e njëjtë, që kërkohen nga Britani për helmimin në rastin Skripal.
Edhe një tjetër zbulim u bë që prej njoftimit të kryeministrit Babish. Bellingcat raportoi se Averyanov ishte në Vjenë në tetorin e vitit 2014, pak para se të ndodhte shpërthimi në Vrbetice, dhe se një prej dy rusëve, që tashmë po lidhen me shpërthimet, më 11 tetor kishin postuar fotografi të Pragës.
Në anën tjetër, sipas raportimeve fillestare, thuhet se depoja e municioneve, ku ndodhi shpërthimi, ishte në pronësi të Gebrev, tregtarit bullgar të armëve dhe armët mund të kenë qenë të destinuara për Ukrainën, për forcat ukrainase që po luftojnë në lindje të vendit me separatistët e mbështetur nga Rusia. Këto raportime janë konfirmuar pjesërisht nga zyrtarët e lartë të sigurisë së Ukrainës.
Gebrev ka mohuar se armët ishin të tijat ose se ato kishin për destinacion Ukrainën.
Tor Bukkvoll, një hulumtues, që është i specializuar në sigurinë ruse në Institucionin për Kërkime të Mbrojtjes të Ministrisë norvegjeze të Mbrojtjes, tha se këto zbulime të bëra nga Çekia, edhe pse nuk janë revolucionare, japin detaje të mëtejme, që sugjerojnë se sa herët dhe sa agresive ishte GRU-ja për krijimin e kësaj njësie.
“Ky demonstrim tregon gatishmërinë (e Rusisë) që të përfshihet në këso lloj misionesh dhe të shkojë në shtete të tjera – dhe të kryejë operacione të tilla – kjo vërtetë është e frikshme”, tha ai.