Viti 2020 është 280 ditë i vjetër, kurse virusi që ka qenë pjesë e jetës sonë gjatë muajve të fundit nuk është më i vjetër se kaq. Por ia ka dalë të përshkojë globin shumë herë dhe ka gjetur vend te rrugët e frymëmarrjes te të paktën 34 milionë njerëz.
Koronavirusi, me madhësi 100 milionë të milimetrit, vazhdon të përhapet. Tani, çdo ditë ka më shumë se 300,000 të infektuar. Dhe këto shifra ka mundësi të rriten, sidomos në hemisferën veriore kur bien temperaturat dhe njerëzit kalojnë më shumë kohë brenda. Këtë verë dhe dimër ekspertët po presin rritje të madhe të të infektuarve, sidomos në Evropë, por edhe në SHBA, transmeton KOHA.
Sipas të dhënave zyrtare nga Universiteti Johns Hopkins, tashmë kanë vdekur 1 milion njerëz nga COVID-19, ku është dyfishuar numri i viktimave në vetëm tre muaj.
Sipas “Institute for Health Metrics and Evaluation (IHME)”, nga Universiteti i Washingtonit pritet që (zyrtarisht) në natën e Vitit të Ri, kur do të jetë përvjetori i shpërthimit të koronavirusit në Kinë, të kemi rreth 2.5 milionë njerëz të vdekur.
Jeta dhe vdekja me virusin
Shumë njerëz po vdesin të vetmuar, po hapen shumë varre dhe po bëhen funerale jo të zakonshme me një numër të kufizuar të njerëzve.
Ka gjasa që do të kemi vaksina që do të përdoren, por virusi ka zënë vend te njerëzit dhe kafshët dhe nuk mund të largohet krejtësisht. Ashtu si gripi e ftohja, virusi do të jetë gjithmonë i pranishëm dhe duhet të mësohemi të jetojmë e të vdesim me të.
Numri i të vdekurve në Gjermani tani është 9.500, shifër e krahasueshme me të vdekurit nga gripi i zakonshëm. Këto shifra të ulëta po bëjnë që njerëzit të zemërohen e të mos pajtohen me masat parandaluese kundër përhapjes së virusit. Por, pa këto rregulla, Gjermania do të ishte në një pozitë shumë më të keqe tani.
Për shembull në Holandë masat nuk kanë qenë aq të rrepta dhe fansat e futbollit mblidheshin në rrugë pak javë më parë. Sipas të dhënave, numri i të infektuarve është shumë më i madh sesa gjatë prillit dhe me gjasë vendi do të izolohet prapë.
Situata është edhe më dramatike në Spanjë, Francë dhe Britani të Madhe.