Po del se kosovarët kanë shije të ndryshme për libra. Preferenca e tyre ndryshon nga zhanri në zhanër dhe autori në autor.
Sipas dy librarive në Prishtinë, “Buzuku” dhe “Dukagjini”, librat më të shitur janë të natyrave të ndryshme, njofton Klan Kosova.
Gjatë vitit 2018 vëmendjen e qytetarëve të Kosovës morën titujt e ri dhe disa nga ato u bënë edhe senzacion. Por padyshim që disa libra dhe autorë mbizotërojnë çdo vit dhe janë të pakonkurentë edhe nga librat e rinj.
Fillimisht ju sjellim disa nga librat më të shitur në librarinë “Dukagjini” gjatë këtij viti si dhe autorët e huaj më të lexuar.
1. Arti i brishtë I not giving a f*uck – Mark Manson
Nuk është e zakonshme që në titullin e një libri të ketë fjalë me përmbajtje banale. Por pikërisht një ide e tillë që kundërshton normat ishte edhe një shtysë që ky libër të merr vëmendje nga lexuesit në mbarë botën. Guida për zhvillimin personal na tregon se për të qenë më të lumtur është të mos përpiqemi të jemi gjithë kohën “pozitivë” por, të përmirësohemi duke përballuar vështirësitë. Libri u radhit në vendin e gjashtë të New York Times Bestseller si dhe i nënti në Washington Post Bestseller’s.
2. Libri i vogël i HYGGE-: Mënyra daneze e të jetuarit mirë- Meik Wiking
Pse danezët janë populli më i lumtur në botë? Përgjigjja, thotë Meik Wiking është Hygge. Ky libër është një bestseller absolut i kohëve të fundit.
3. Presidenti është zhdukur – Bill Klinton, James Patterson
Ish-presidenti Bill Clinton dhe shkrimtari James Patterson janë bashkuar për të shkruar një roman.Një libër me shumë informacione që vetëm një ish-president mund të dinte. Ky është romani që nxiti edhe kureshtjen e publikut kosovar dhe kryesoi listat e bestsellererve.
4. Educated- Tara Westover
Ky libër u zgjodh si një nga 10 librat më të mirë të New York Times me një temë që u trajtua shpesh por me një përmbajtje që nxiti kureshtje.
5. Michele Obama- Becoming
Ish-zonja e Parë e SHBA-ve, Michele Obama, padyshim që do ta bënte kureshtar edhe vendin e vogël ballkanik, të deklaruar si më pro-amerikani. Kështu libri i Obamës ishte ndër më të shiturit për një kohë të shkurtë prej se u botua në dy libraritë e kryeqytetit.
Librat më të shitur të autorëve shqiptarë:
1. Shëndeti dhe suksesi përmes meditimit – Hetem Ramadani
Ideja e Hetem Ramadanit për t’u shëruar me meditim dhe pa ilaçe zgjoi shumë kureshtje te kosovarët. Ky libër sipas Dukagjinit përbën një senzacion për këtë vit. Ishte ndër më të kërkuarit nga publiku me një numër të madh shitjesh.
2. Kur sunduesit grinden – Ismail Kadare
Nëse është libër i ri nga Ismail Kadare, libraritë përgatitën të mbushin raftet për një numër të madh të blerësve. Ky libër përfshin historinë e shkrimtarëve të mëdhenj që iu kanë mbijetuar diktaturave, përderisa diktatorët kanë vdekur e janë harruar. Si fill lidhës i veprës shërben historia e shkrimtarit rus Boris Pasternak.
3. Shënimet e krimbit Smolinksi – Azem Deliu
Tema e librit: Piotr Smolinski, shkrimtar i njohur polak, ftohet në një rezidencë artistësh në Kosovë ku ndeshet me mentalitetin e pasluftës, e që në disa pika, i kujton problemet e pas rënies së komunizmit në vendin e tij.
4. Robert Elsie – Fiset shqiptare
Shkrimtari kanadadez shpesh vjen me befasi për popullin që zgjodhi ta studionte, prandaj edhe radhitët në autorët vendorë.
Ky libër trajton temën e fiseve shqiptare dhe bajraqet e Veriut të Shqipërisë.
5. Takim me të sapolindurit – Razije Musa
Kush më mirë se një mami që dëgjon qindra të qara foshnjash mund të shkruajë për ta. Musa përmes këshillave dhe mirëqenies së foshnjave bëri kureshtarë shumë lexues.
Ndërkaq, libraria “Buzuku” vjen me tituj tjerë të librave si më të shitura gjë që tregon edhe njëherë për shijen e ndryshme të lexuesve kosovarë.
Librat më të shitur në gjuhën shqipe:
1. Inteligjenca emocionale – Daniel Goleman
A na e përcakton koeficienti i inteligjencës fatin? Bestselleri tregon që jo e gjithë vëmendja duhet të përqendrohet në intelegjencë pa anën emocionale.
2. Kthimi – Albatros Rexhaj
Pavarësisht kritikëve letrarë që kundërshtojnë një formë të tillë të shkruari, Albatros Rexhaj vazhdon të jetë ndër më të shiturit në publikun kosovar.
3. Babi i keq – David Walliams
Baballarët janë të ndryshëm: Të hollë, të gjatë, të zgjuar, budallenj, të moshuar. Një histori interesante nga autori bestseller, Walliams.
4. Busull – Mathias Enard
Me një prozë magjepse, Enard lidh së bashku kompozitorët e shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe orientalistët ezoterikë, Balzac dhe Agatha Christie.
5. Ikigai – Francesc Miralles dhe Hector Garcia
“Nëse HYGGE është arti për të mos bërë asgjë, Ikigai është arti i të bërit diçka – dhe duke e bërë atë me fokus të lartë dhe gëzim”, shkroi Neë York Post për udhëzuesin më të mirë të konceptit japonez.
Librat më të shitur në gjuhën angleze:
1. Sapiens – Yuval Harari
Nga një historian i njohur vjen një tregim novator i krijimit dhe evolucionit të njerëzimit – një bestseller ndërkombëtar.
2. Game of thrones – George R.R. Martin
Ky libër padyshim që famën e mori edhe nga seriali. Ai vazhdon të jetë ndër më të shiturit, sidomos tek moshat e reja.
3. Ice Monster – David Walliams
Heronjtë vijnë në të gjitha format dhe madhësitë e ndryshme në aventurën më të madhe dhe më epike të David Walliams.
4. Alchemist – Paulo Coelho
Se shkenca dhe mitologjia mund të shkojnë bashkë na dëshmon në një mënyrë alkimia. Në këtë bazë kundërthënëse, Coelho e afron Lindjen me Perëndimin në një rrëfim të këndshëm që do të vazhdojë të jetë më i shituri edhe në cepin e vogël të Europës.