Çka thanë Netanyahu dhe Bideni për vrasjen e liderit të Hamasit?

Prishtinë | 18 Tet 2024 | 08:32 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, foli për vrasjen e liderit të Hamasit, Yahya Sinwar, duke thënë se “ky është fillimi i ditës pas Hamasit”.

Ai theksoi se “e keqja ka marrë një goditje të rëndë, por punët tona nuk kanë përfunduar ende”.

Netanyahu paralajmëroi se liderët e Hamasit do të eliminohen dhe u kërkoi atyre që mbajnë pengje izraelite të heqin dorë nga armët dhe t’i kthejnë pengjet, duke thënë se ata që e bëjnë këtë do të “lejohen të jetojnë”.

Ai lavdëroi ushtarët që e realizuan operacionin dhe u premtoi familjeve të pengjeve se Izraeli do të bëjë gjithçka për t’i kthyer ata.

Presidenti amerikan, Joe Biden, e lavdëroi gjithashtu Izraelin për vrasjen e Sinwar dhe foli me Netanyahun.

Ata ranë dakord që ka mundësi për të liruar pengjet e mbetura. Bideni tha se tani është koha për të vepruar dhe planifikon të dërgojë Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken, në rajon, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv.

Të ngjashme