Hegeli në ligjeratat e tij në “Fenomenologjinë e Frymës” i ka kushtuar një vëmendje edhe vetëdijes kalorsiake si model i veprimit politik dhe historik.
Aksioni që inspirohet nga ky mentalitet në mënyrë tipike i ngjason figurës letrare të Don Kishotit. Konfrontimi me botën është tipar i kësaj sjelljeje. Në përpjekjen e tij për të jetësuar vizonin dhe qëllimet që i proklamon ai revoltohet kundër botës. Mirëpo, është pikërisht bota në të cilën ky “kalorës i virtyteve” që pareshtur e “lufton”, dhe denoncon si burim të komplotit e konspiracionit, e cila në të vërtetë shërben si medium për të realizuar qëllimet e tij të proklamuara. Iluzione të tilla janë të destinuara për dështim. Retorika e kësaj qasjeje mund të jetë eksituese vetëm në funksion të vetvetes dhe të ketë karakter mbushllues emocional për një rreth të ngushtë të dishepujve të kalorësit, por ajo është e zbrazët nga përmbajta racionale publike. Dhe ky dështim është i kushtëzuar nga kushtet e jetës moderne. Sepse këtë të fundit e përbën konektiviteti.
Kështu, askush nuk mund të jetë i vetëmjaftueshëm në këtë botë të ndërvarur. Prandaj, është e domosdoshme për çdo individë, shoqëri dhe shtet të bëhët pjesë e këtyre raporteve komplekse. Kështu nëse në te kaluarën trimëria, konstaton Hegeli, ishte individuale, sot ajo nuk qëndron që secili të veprojë sipas modës së tij, por në lidhje më të tjerët, dhe kjo mund të jetë merita kryesore e saj.
Këtë postulat si duket e kishin kuptuar në mënyre të shkëlqyer ish-drejtuesit politikë të Lëvizjes së Kosovës për shtetësi. Ja se çka shkruante dikur profesor Fehmi Agani, për situata të tilla “krahas mirëkuptimit dhe përkrahjes ndërkombëtare, ka pasur mjaft qëndrime ndërkombëtare që esencialisht na kanë dëmtuar. Dhe, ç’duhet të bëjmë? Të mendosh se mundesh të shkëputesh nga bota është marrëzi. Të përpiqesh të injorosh qëndrimet ndërkombëtare është dështim”.
Por kuptohet, tash për këto raporte për t’i bërë qejfin dhe mikluar egon e padronit të tij na flet Besnik Bislimi.