Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka zhvilluar një takim të veçantë me ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, në kuadër të vizitës që ish-kreu i SHBA-ve zhvilloi në Kosovë, në shënim të 20-vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s.
Ka qenë Kryetari Veseli që e ka shoqëruar Presidentin Clinton në Aeroportin e Prishtinës në përfundim të vizitës së tij dyditore në Kosovë.
Kryeparlamentari Veseli dhe ish-presidenti Clinton biseduan për proceset nëpër të cilat ka kaluar vendi ynë nga lufta e këtej, për arritjet e shënuara, zhvillimet aktuale dhe sfidat që e presin në të ardhmen.
Kryeparlamentari Veseli theksoi se ky jubile i shënimit të çlirimit të Kosovës nuk do të kishte kuptim pa prezencën e tre njerëzve më meritorë dhe vendimtarë të ndaljes së gjenocidit serb mbi shqiptarët e Kosovës dhe fitores mbi Serbinë, Bill Clinton, Madeleine Albright dhe Ëesley Clark.
Veseli tha se falë kësaj ndërhyrjeje, e bazuar mbi parimet e humanizmit dhe të lirisë, sot Kosova jo vetëm që është e lirë dhe e pavarur, por është shndërruar në ikonë të suksesit të politikës ndërhyrëse të shteteve demokratike perëndimore.
Ish-presidenti amerikan, Clinton, u shpreh u lumtur që ishte pjesë e shënimit të përvjetorit të 20-të të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, ndërsa shtoi se ndihet i kënaqur me progresin që vendi ynë ka shënuar gjatë këtyre dy dekadave.
Ai falenderoi kryetarin Veseli për pritjen dhe theksoi se do të vazhdojë të jetë përkrah Kosovës. Presidenti Clinton tha se Kosova ka bërë progres të ndjeshëm dhe duhet ta vazhdojë rrugën e zhvillimit.