“Çlirimtari” i Shtimes për dy darka zyrtare shpenzoi 1 mijë e 200 euro

Prishtinë | 03 Maj 2022 | 16:29 | Nga Ekonomia Online

Plot 1 mijë e 200 euro i ka shpenzuar Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, për vetëm dy darka zyrtare. 

Këto dy darka janë bërë brenda tri ditësh, më 21 dhe 23 dhjetor në një restorant të quajtur “Lisi” në Komunën e Shtimes.

Demokracia.com ka siguruar raportin e këtyre darkave që i kanë kushtuar buxhetit të komunës së Shtimes gjithsej 1 mijë e 200 euro.

Sipas këtij raporti, darka e datës 21 dhjetor e këtij viti kishte kushtuar 800 euro, ndërsa darka tjetër e shtruar më 23 dhjetor kishte kushtuar 400 euro.

Për këto shpenzime të Aliut ka pasur reagime edhe nga opozita në Shtime.

Partia Demokratike e Kosovës në Shtime përmes një reagimi ka kërkuar llogaridhënie nga kryetari Aliu.

“Dega e PDK-së në Shtime kërkon llogaridhënie nga kryetari i komunës, Qemajl Aliu, i cili ka mashtruar publikisht qytetarët përmes deklaratave të tij në mbledhjen e Kuvendit, i cili ka deklaruar se ka zero shpenzime nga ai. Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Shtime, është e shqetësuar rreth deklaratave të pavërteta dhe tendencioze të kryetarit të Komunës së Shtimes të dhëna në Kuvend, pasi që dokumentet zyrtare tregojnë të kundërtën e asaj që ka deklaruar”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Ndërsa, vetë Aliu në seancën e Kuvendit Komunal kishte deklaruar se nuk ka bërë asnjë shpenzim për dreka e darka.

“Unë si kryetar i komunës nuk e kam bërë asnjë shpenzim për dreka e darka, ato 1200 euro do t’i përmendi për hir të transparencës. Më 14 dhjetor, 800 euro janë ndarë për ditën e betejës së lavdishme të Pashtrikut dhe 400 euro të tjera janë ndarë për promovimin e librit të shkrimtarit Banush Imeri. Zyra e financave nuk ka gjetur mënyrë tjetër përveçse ato mjete t’i adresoi te zyra e kryetarit”, ka thënë ai.

Kujtojmë se kjo komunë për herë të parë tani është nën qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje.

Të ngjashme