Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit” (IHÇK) për muajin gusht të vitit 2016, e cila tregon për një rritje të lehtë të çmimeve të konsumit.
Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit sipas ASK-së, është më i lartë për 0.2% në muajin gusht 2016, krahasuar me muajin korrik 2016.
Ngritje e çmimeve vërehet te nëngrupet e COICOP-it: qumështi, djathi dhe vezët (5.3%); rryma, gazi dhe lëndët djegëse të tjera (0.9%)-(ngritja e çmimit të drunjve për ngrohje) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.4% në IHÇK.
Ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve te nëngrupet: pemë (-4.4%) dhe perime (-1.9%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.2%) në IHÇK.
Shkalla e inflacionit e matur në muajin gusht 2016 me muajin gusht 2015 ishte 0.0%.
Përkundër mosndryshimit në muajin gusht 2016 të indeksit të tërësishëm të harmonizuar të çmimeve të konsumit, krahasuar me muajin gusht 2015, në këtë periudhë vërehen disa ndryshime të çmimeve të artikujve dhe shërbimeve te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it.
Ngritje e çmimeve vërehet te nëngrupet: mish (0.9%); qumësht, djathë dhe vezë (3.3%); sheqer dhe ëmbëlsira (9.2%); ujë, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (2.2%); pijet alkoolike (3.7%); duhani (5.3%); veshje (3.4%); orendi dhe aparatura, qilima dhe shtroja të tjera për dysheme (2.3%); prodhime dhe pajisje mjekësore (3.1%); blerje e automjeteve (1.5%); shërbime për transport (9.3%) – (ngritje e çmimit të biletave me aeroplan) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1.4% në IHÇK.
Ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve në këtë periudhë te nëngrupet: bukë dhe drithëra (-4.6%); pemë (-10.3%); perime (-5.5%); furnizim me ujë dhe shërbime të ndryshme, që kanë të bëjnë me vendbanimin (-6.7%); rrymë, gaz dhe lëndë djegëse të tjera
(-4.5%) – (përshkallëzimi i TVSH-së me 8.0% nga muaji shtator i vitit 2015 te buka dhe drithërat, uji dhe rryma, ka ndikuar në rënie të IHÇK-së në një masë prej -0.7% në këtë periudhë); përdorim i pajisjeve për transport personal (-5.3%) – (rënia e çmimit të naftës dhe benzinës), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-1.4%) në IHÇK.