Çmimet e naftës së papërpunuar shënuan një ulje të vogël, pavarësisht nga raportet që Arabia Saudite ka ulur eksportet e saj të papërpunuara për të ndihmuar në rritjen e çmimeve.
Zyrtarët e Organizatës së Eksportit të Naftës (OPEC), thanë se Arabia Saudite deri në fund të janarit planifikon të zvogëlojë eksportet e saj të naftës së papërpunuar në rreth 7.1 milionë fuçi në ditë për të ndihmuar në rritjen e çmimeve të naftës në mbi 80 dollarë për fuçi.
Sipas OPEC-ut, shitësi më i madh i naftës së papërpunuar në botë ka eksportuar rreth 7.4 milionë fuçi në ditë në muajin dhjetor dhe 7.9 milionë fuçi në ditë në muajin nëntor, përcjell Telegrafi.
OPEC-u i udhëhequr nga Arabia Saudite dhe Rusia më 7 dhjetor u pajtuan për të zvogëluar prodhimin e përgjithshëm të naftës së tyre me 1.2 milion fuçi në ditë duke filluar nga 1 janari për gjashtë muaj, por plani deri më tani ka pasur pak ndikim në çmimet e naftës së papërpunuar.
Në tregun ndërkombëtar, nafta e llojit Brent tregtohet me 57.28 dollarë për fuçi, me një humbje ditore prej 0.5 për qind, pasi ditën e djeshme e mbylli me 57.66 dollarë për fuçi.
Nafta amerikane West Texas Intermediate në të njëjtën kohë tregtohet me 48.55 dollarë për fuçi, me një humbje prej 0.4 për qind, pasi ditën e djeshme e mbylli me 48.75 dollarë për fuçi.