Çmimi “Anton Çetta” në fushën e trashëgimisë kulturore e shpirtërore i ndahet Frok Kristajt

Prishtinë | 18 Jan 2021 | 11:29 | Nga Ekonomia Online

Frok Kristaj është fitues i çmimit  vjetor “Anton Çetta” në fushën e trashëgimisë kulturore e shpirtërore, raporton Ekonomia Online.

Në ceremoninë e organizuar  nga Ministria e Kulturës për ndarjen e këtij çmimi i pranishëm ishte dhe kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti.

“Ju përgëzoj për punën që kemi arritur deri në këtë pikë për emrin e një personi që gëzon respektin e secilit shqiptar. Kultura është pasuruar shumë sidomos në kohë pandemie ku edhe muajin nëntor  ne e kemi shpallur si muaji i Anton Çettës”, tha Hoti.

Ministrja në detyrë e Kulturës, Vlora Dumoshi , tha se Anton Çetta i ka kontribuar zhdukjes së hasmërisë më vend.

” Pajtimi i gjaqeve i kontribuoi zhdukjes së hasmërisë. Për jurinë nuk ka qenë e lehtë për shkak të peshës që mbart ky çmim. Ky çmim është vlerësim i lartë që i bëhet punës së tij. E vlerësoj mbështetjen e kryeministrit  Hoti për themelimin e këtij çmimi”, tha ajo.

Frok Kristaj fitues i çmimit vjetor Antton Çetta, falënderoi jurinë për dhënien e çmimit.

“Ju falënderoj për këtë nderim që ma keni bërë mu e familjen Çeta. Atë e kam pasur mik të familjes e të shtëpisë dhe ky çmim nuk më është  dhënë pse e kam pasur mik të shtëpisë, por për diçka tjetër”.

Profesori Arsim Canolli ka dhënë arsyetimet e jurisë profesionale, për ndarjen e çmimit Anton Çetta për Frok Kristajt.

“Ky nderim për Anton Çetën tregon se Kosova i nderon ata. Juria ka vendosur që ky çmim ti jepet Frok Kristajt. Kristaj ka një veprimtari të gjatë dhe është e lidhur me trashëgiminë kulturore e shpirtërore të Kosovës. Ai ka shkruar mbi 40 vepra letrare”, tha ai.

Të ngjashme