Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi, ka bërë ndarjen e çmimit për vepër jetësore dhe çmimeve vjetore në fushën e muzikës. Ky çmim i është dhënë kompozitorit Viçens Gjini, raporton Ekonomia Online.
Dumoshi ka thënë se është shumë e rëndësishme që institucionet e vendit të kthejnë vëmendjen kah kompozitorët.
“Sot jemi mbledhë këtu për të shpallur çmimet, e kontributin e vazhdimësisë së punës së shumë kompozitorëve. Ne si Kosovë e si shtet i ri kemi pasur kompozime dhe jemi një vend me traditë. Ne i kemi mbledhë forcat dhe është bërë punë e shkëlqyeshme, andaj është me rëndësi vëmendja që institucioni, ja kushton për punën kompozitorëve. Unë i uroj shumë shëndet e shumë kompozime për profesorin Vinçens Gjini, dhe ne e kemi borxh për me e shpërfaq kontributin për ju, ne urojmë që bashkërisht do ta jetësojmë veprën tendë të cilën e keni shkruar dhe e keni shumë për shpirt.”
Tutje Dumoshi ka folur edhe për 5 milionë eurot e ndarë nga Qeveria. Ajo ka thënë se do ti blejnë pikturat apo kompozimet në mënyrë që të pasurohet institucioni si dhe artistët në të njëjtën kohë. “Çdo kritikë është e mirëseardhur dhe i dimë kushtet më të cilat ballafaqoheni. Qeveria e Kosovës i ka ndarë 5 milionë me kërkesën e rimëkëmbjes ekonomike dhe ne e kemi bërë një plan strategjik se si do ta shpërndajmë këtë pjesë. Dhe ne me këtë rimëkëmbje e kemi shpërndarë pjesën e parë. Filarmonia është në gjendje të rëndë dhe më e mira është që me pas ajo objektin e vet”, ka shtuar Dumoshi.
Baki Jashari pjesë e jurisë, ka thënë se Gjini e ka merituar plotësisht këtë çmim
“Gjini pa dyshim e meriton çmimin për veprimtarinë e tij. Çmimi për veprën orkestrale-instrumentale për vitin 2019 është ndarë për kompozitorin Valton Beqiri për veprën “Rrugëtimi”
Motra e kompozitorit Viçenc Gjinit tregoi se për arsye shëndetësore ai sot nuk ishte i pranishëm në ndarjen e çmimeve.
Kompozitori Valton Beqiri ka falënderuar ministren Dumoshi për angazhimin e saj si dhe jurinë për vlerësimin.
“Kjo dëshmon se çmimi është duke e dhënë rezultatin e vet dhe falënderoj ministren për angazhimin e saj dhe shpresoj që në të ardhmen të ketë vepra më të mëdha”, ka thënë ai.