Çmimi Nobel për studentët serbë

| 03 Shk 2025 | 12:46 | Nga

Studentët nga Serbia janë zyrtarisht kandidatë për Çmimin Nobel për Paqen.

Sapo ka mbërritur konfirmimi nga Komiteti Nobel që kandidatura e tyre për këtë çmim është pranuar. Studentët janë propozuar në minutën e fundit, për shkak të afatit që po skadonte, nga dramaturgu i njohur serb, Siniša Kovačević, dhe avokatja Dijana Stojković.

Kjo është me të vërtetë një lajm i rëndësishëm, jo si Vuçiçi që çdo ditë u drejtohet qytetarëve dhe i torturon me fjalimet e tij. Siç dihet tashmë, studentët po protestojnë në mënyrë paqësore për më shumë se dy muaj, duke përdorur mjete demokratike, kundër regjimit brutal dhe autokratik të Aleksandar Vuçiçit.

Ata absolutisht e meritojnë këtë kandidaturë. Studentët e kanë zgjuar Serbinë e fjetur nga një anestezi dhe hibernim 12-vjeçar, aq sa ka zgjatur sundimi autokratik i diktatorit Vuçiç. Protestat tashmë kanë përfshirë të gjithë Serbinë e kapur dhe vendi është çliruar nga frika – askush nuk trembet më. Në këto protesta paqësore dhe kulturore janë përfshirë edhe qytetarët. Fillimisht ata bllokuan fakultetet dhe më pas dolën në rrugë, duke kërkuar përmbushjen e kërkesave të tyre para institucioneve shtetërore.

Autoritetet serbe kanë tentuar disa herë të shuajnë këtë revoltë duke u ofruar studentëve përfitime të ndryshme, por ata nuk janë tërhequr nga lufta e tyre dhe nga kërkesat për ndryshime të thella shoqërore, strukturore dhe demokratike.

Bllokadat nisën më 22 nëntor nga Fakulteti i Arteve Dramatike, studentët dhe profesorët e të cilit u sulmuan të njëjtën ditë, ndërsa po zhvillonin një bllokadë paqësore 15-minutëshe në rrugë, për të nderuar viktimat e shembjes së një mbulese në stacionin hekurudhor të Novi Sadit. Shpejt, revolta u përhap në më shumë se 60 fakultete shtetërore në të gjithë Serbinë.

Studentët nuk po heqin dorë nga beteja e tyre për një vend më të mirë dhe normal, pavarësisht nga dorëheqja taktike e kryeministrit serb, Miloš Vučević, dhe kabinetit të tij. Kjo është një rini serioze, e guximshme dhe e mençur, që po shkruan një faqe të re në historinë e Serbisë – por jo atë histori të mbushur me luftëra të përgjakshme, për të cilat populli serb ende mban vulën e turpit.

Ndoshta ky është vetëm fillimi i çlirimit nga ideologjia e madhe-serbe, e cila buron nga qarqet ekstremiste të djathta dhe nga nacionalistët e shovinizmit serb, që ende duan të sundojnë dhe ta mbajnë popullin serb në errësirë.

Për 12 vite, Serbia ka qenë e mbyllur në një bodrum nga regjimi i Vuçiçit – një bodrum pa dritë, të cilin tani e kanë hapur studentët. Ata po e bëjnë këtë për një të ardhme të re, e cila do të ecë përkrah shoqërive të tjera demokratike dhe moderne evropiane.

Studentë, bravo! Ju tashmë e keni fituar Çmimin Nobel për Paqen, pavarësisht se çfarë vendimi do të marrë Komiteti Nobel.

Të ngjashme