Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka sqaruar deklaratën e saj se çmontuan 900 banda kriminale për pesë vjet, duke thënë se kjo u bë pa qëllim, dhe përmendi se bëhej fjalë për rastet e bandave kriminale që kanë qenë të involvuara në veri, raporton Ekonomia Online.
“Dje kemi dhënë një sqarim zyrtar. Janë bërë ndryshimet e nevojshme dhe ka qenë e qartë se ajo që kam pasur në mendje ka qenë numri i rasteve, sepse, siç e kemi thënë edhe më herët, bandat serbe kanë qenë të involvuara në qindra raste – qoftë në keqpërdorimin e votave nga viti 2021 e tutje, pastaj në presionin e vazhdueshëm ndaj qytetarëve të tjerë serbë, futjen e armëve ilegale, dhunën ndaj qytetarëve, djegien e makinave, si dhe sulmet ndaj gazetarëve. Vetëm 93 raste i kemi të evidentuara ndaj ushtarëve të KFOR-it. Pra, kemi qindra e qindra raste ku bandat serbe kanë qenë të përfshira në krime. Ajo që kam thënë ka qenë e lidhur me rastet, dhe ka qenë një gabim i paqëllimshëm. Menjëherë është bërë ndryshimi i nevojshëm në intervistë dhe as Politico nuk e ka përdorur atë pjesë. Ajo deklaratë nuk ka dalë në mediat ndërkombëtare sepse jemi siguruar që të bëhet korrigjimi zyrtar”, tha Osmani për media.
Osmani iu është përgjigjur edhe provokimeve serbe, pa çka përmendi rastin e rrëmbimit të policëve që kishte ndodhur brenda territorit të Kosovës.
“Siç e dini ne nuk i referohemi si vijë administrative por si kufi, sepse është kufi shtetërore ndërmjet Kosovës në njërën anë dhe Serbisë në anën tjetër, kufi që gjithmonë ne e respektojmë por Serbia nëpërmjet akteve të agresioneve të tjera provokative e shkel. Ka pasur raste kur u patën kidnapuar tre policë të Kosovës brenda territorit brenda territorit të Kosovës, e kishim edhe rastin me qytetarin e përkatësisë etnike serbë që u plagos në territorin e Kosovës. Përderisa që ndodhin të gjitha këto, njëra ndër mjetet kryesore që e ka përdorur gjatë historisë që e ka intensifikuar kohëve të fundit është propaganda është shumë e rrezikshme, sepse zhvillimet e reja teknologjike mund të prodhojnë gjithçka është një formë e vazhdueshme me mjete jo tradicionale, përtej sulmeve që ka bërë në Banjskë, në të njëjtën kohë shfrytëzon shumë propagandë për të krijuar frikë, provokime dhe tensione dhe për të tentuar që të rikthehet dhuna në shtetin dhe vendin tonë. Ne natyrisht nuk bimë pre e provokimeve të tilla. E dini që xhandarmëria serbe e shkel vijën kufitare në të njëjtën kohë e kishim rastin me gjuetarët e armatosur që tani më janë në burg dhe armët janë konfiskuar”, ka deklaruar ajo.
