CNN: Pse ia vlen ta vizitoni Liqenin e Shkodrës?

Prishtinë | 26 Kor 2018 | 14:42 | Nga

Për një vend që shumë njerëz zor se e kanë dëgjuar, kjo masë gjigante uji ka shumë emra.

Në varësi të vendit nga vini, mund të quhet Shkodra, Shkodër apo Scutari, ndërkohë që pjesë më e madhe e vizitorëve e njohin si Liqeni i Shkodrës, shkruan rrjeti informativ prestigjioz amerikan, CNN.

Ky destinacion qëndron nga të dy anët e kufirit mes Malit të Zi dhe Shqipërisë dhe është liqeni më i madh i Europës Juglindore, një hapësirë e pacenuar dhe park kombëtar.

Ai nuk është ndoshta në listën e vendeve më të vizituara për turistët globalë, por ata që marrin mundimin shpërblehen me një mjedis unik dhe një përvojë shumë speciale udhëtimi.

Liqeni është i paprekur nga zhvillimi apo komercializimi – të paktën tani për tani. Megjithatë, ekziston shqetësimi se Projekti i Portit të Liqenit të Shkodrës, një resort i ri ekologjik në liqen, mund të kërcënojë ekosistemin dhe speciet e rralla, përfshirë shumë që janë endemike.

Ndërkohë, të tjerë përgjigjen se projekti do të jetë i ndjeshëm ndaj mjedisit dhe do të kontribuojë në krijimin e vendeve aq të kërkuara të punës, infrastrukturës dhe rritjes ekonomike.

Ndërsa debati vazhdon, këtu ka disa arsye se pse porti dhe ligatina me rëndësi ndërkombëtare, që mbulojnë një sipërfaqe mbi 200 miljesh katrore, i bëjnë ato një destinacion kaq imponues.

Kur vizitoni Shkodrën, ju duhet ta ulni një marsh, pasi për adhuruesit e udhëtimeve të ngadalta, ka pak destinacione më të mira.

Stili lokal i jetesës duket se reflekton një pamundësi për t’u ngutur, ndërkohë që deri tani rruga më e mirë për të vizituar pjesën më të madhe të liqenit është nëpërmjet udhëtimit me varkë, fillimisht nga qyteti i fjetur malazez i Virpazarit.

Një grusht varkash druri peshkatarësh kanë streha të bëra me kallam bambuje dhe kanë të gjitha emra individualë, kështu që ju mund ta gjeni veten mbi një varkë me emrin Milica apo Bretkosa e Artë.

Me zërin e heshtjes dhe bukurinë mahnitëse të natyrës rreth teje, gjithçka që keni nevojë të bëni është të uleni dhe të ecni ngadalë pa ndonjë qëllim.

Liqeni është shtëpia e një diversiteti të dukshëm të jetës së egër. Pesëdhjetë lloje peshqish jetojnë në këto ujëra, 18 prej të cilëve nuk gjenden diku tjetër në Tokë, çka konfirmon statusin e një ligatine me rëndësi ndërkombëtare. Ka ngjala dhe levrek, bli dhe më i përhapuri është krapi.

Ka më shumë se 50 lloje speciesh kërminjsh ujërash të freskëta, ku të paktën një e treta janë endemikë, duke e bërë një nga zonat më të rëndësishme të Europës.

Nëse do të ishit me shumë fat, atëhere ju mund të kapni një pamje momentale të një vidre të rrezikuar, ndërkohë që gjarpërinjtë e ujit rrëshqasin pranë jush.

Kandila të vegjël blu të mrekullueshëm, së bashku me pilivesa të kuqe, portokalli dhe jeshile janë shoqërues të përhershëm.

Jeta e shpendëve

Një grup prej 270 speciesh e bëjnë Liqenin e Shkodrës një nga rezervatet më të mëdha të shpendëve të Europës dhe një destinacion popullor për ornitologët.

Kjo për shkak se ata mund të dallojnë aty disa nga pelikanët e fundit dalmatë të Europës, karabullakët e detit që thajnë krahët e tyre dhe habitatet e çafkave të rralla e të verdha.

Rreth 90% e tyre janë zogj migrues, që do të thotë gatat sqeplugë, rosat dhe çafkat e bardha janë vizitorë të tjerë të rregullt.

Ndonjëherë në varkë ndjeheni sikur jeni në një ekspeditë gjuetie zogjsh, me diversitet të pabesueshëm në çdo hap.

Të gjitha kafshët e egra kanë nevojë për bimësi dhe në mesin e shumëllojshmërisë së tyre gjenden më shumë se 25 specie të konsideruara të rralla dhe të rrezikuara, duke përfshirë një varietet të gështenjës ujore, krokëllit dalmat dhe orkide të shumta të mbrojtura.

Bambuja është shpesh e dukshme në bregun e liqenit, ndërkohë që disa prej luleve më fotozhenike duhet të jenë zambakët e bardhë dhe të verdhë që dalin nga ligatina.

Mund të mos jenë aq të bukura, por ka qindra lloje algash, shumë prej të cilave përsëri janë të rralla ose unike. Pyjet gjithashtu mbulojnë pjesën më të madhe të peizazhit përreth, duke përfshirë shelgun e bardhë dhe lisin.

Histori

Pavarësisht nga qetësia dhe natyra kryesisht e paprekur e liqenit, ai ka qenë dëshmitar i një historie shpesh të trazuar.

Rreth liqenit qëndrojnë mbetjet e 18 manastireve, fortesave, monumenteve dhe kishave.

I banuar nga ilirët e lashtë, grekët dhe romakët, Shkodra dikur ishte pjesë e Perandorisë Bizantine dhe u pushtua nga Perandoria Osmane për pesë shekuj, siç tregohet nga rrënojat përfshirë fortesën e Besakut në Virpazar.

Pas rënies së perandorisë në shekullin XIX, Mali i Zi më pas u bë një principatë e pavarur para se Virpazari të bënte histori si vendi i kryengritjes së parë partizane të Malit të Zi në kohën e Luftës së Dytë Botërore.

Alcatrazi i Malit të Zi

Sundimi i Perandorisë Osmane nxori gjithashtu një nga legjendat më famëkeqe të liqenit. Kështjella e Gërmozurit u ndërtua në 1843 në një ishull me gurë, përpara se të shndërrohej në versionin malazez të Alcatrazit nën mbretin Nikolla I.

Thuhej se as të burgosurit dhe as rojet e burgut, të cilët ishin në gjendje të notonin, e kishin teorikisht të pamundur arratisjen.

Por, dy të burgosur, me sa duket, ia dolën të ikin, duke përdorur një derë si trap.

Për rojet e pafat që i vëzhgonin, dënimi ishte të vuanin të njëjtin dënim si të burgosurit e shpëtuar.

Ushqimi

Ndërsa liqeni është një strehë e mbrojtur e kafshëve të egra, peshkimi me leje është i mundur në disa zona, që do të thotë se peshku nuk mund të jetë më i freskët sesa kur vjen në tryezën tuaj.

E njëjta gjë vlen edhe për produkte të tjera, duke përfshirë djathërat e shkëlqyer të bërë në shtëpi, bimë të tilla si rozmarinë dhe sherbela si dhe pirgje me fruta dhe shegë të kudogjendura, fiq, qershi dhe arra.

Një numër i vogël opsionesh për të ngrënë janë të dallueshme përgjatë liqenit. Në një prej tyre, me pamje nga rrënojat e shtëpive të lashta dhe shtretërve të kallameve, ushqimi është i thjeshtë, por i shijshëm.

Një çift i moshuar mbikëqyr gjërat, në karrige plastike kopshti dhe tavolina pikniku që ofrojnë sfond të përsosur për festë.

Mund të fillojë me proshutën, domate të shkëlqyera lokale të bëra sallatë, përpara se krapi të skuqet dhe të shërbehet me bukë të bërë në shtëpi.

Dollitë me një pije alkoolike ”të zjarrtë” të quajtur raki të sigurojnë një udhëtim të butë me varkë gjatë të cilit mund të jeni edhe të përgjumur.

Manastiret

Një numër manastiresh historike janë të shpërndara në dhe përreth liqenit, në heshtjen, paqen dhe bukurinë natyrore që i rrethon.

Manastiri i Vraninës, më i njohur si Shën Nikolla, është një manastir ortodoks serb dhe gjithashtu një nga më antiket e zonës, që daton në shekullin XIII. Ai ndodhet lart në një kodër në një ishull me të njëjtin emër duke pasur një pamje të pabesueshme.

Megjithëse është sulmuar dhe pothuajse është shkatërruar gjatë historisë së saj, kisha u restaurua rreth 20 vjet më parë, ndërsa përpjekjet vazhdojnë për rinovimin e gërmadhave të tjera në vend.

Sot atje jeton vetëm një murg, i cili kujdeset për kishën dhe gjithashtu punon si bletar duke prodhuar mjaltë mesa duket me përfitime mjekësore.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme