Organizata “Lidhim Njerëzit me Vlerat e Natyrës” – (Connecting Natural Values & People CNVP), të premten ka festuar dhjetëvjetorin e themelimit, me ç’rast ka mbledhur bashkë partnerë kryesorë nga komuniteti i donatorëve, institucionet qendrore dhe lokale nga rajoni, sektori privat dhe shoqëria civile, raporton Ekonomia Online.
Aty u tha se organizata ka luajtur një rol kyç në punën me institucionet qendrore dhe lokale, sektorin privat, organizatat e shoqërisë civile, akademinë dhe komunitetin rural në menaxhimin e integruar të pyjeve, menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore, zbutjen e ndryshimeve klimatike dhe ngritjen e kapaciteteve të aktorëve lokalë që kontribuojnë në zhvillim të qëndrueshëm.
Maarten Bremer, kryesues i Bordit Mbikëqyrës të CNVP-së, tha se objektivi i CNVP-së është të krijojë kushte për përmirësimin e jetesës së të gjithë aktorëve dhe partnerëve nëpërmjet veprimeve të saj; të forcojnë kapacitetet e tyre për të arritur zhvillim të qëndrueshëm përmes zhvillimit të politikave, programeve dhe projekteve përkatëse dhe niveleve kombëtare, ndërkufitare dhe rajonale.
Bremer theksoi se operojnë në disa shtete. “Kemi një staf më të ri dhe kemi energji pozitive”, u shpreh ai.
Sekretari i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerim Hasani, u shpreh falenderues për përkrahjen dhe me projetet që i ofron CNVP-ja. Ai tha se si dikaster i bujqësisë e pylltarisë janë të hapur për të bashkëpunuar në projekte të tjera në vitin e ardhshëm.
“Ne jemi të hapur për të bashkëpunuar dhe e mbështesim. Është fati i mirë që viti 2021-22 ka qenë një hap pozitiv në sektorin e zhvillimit në fushën e pylltarisë. Presim edhe projekte të tjera në 2023”, tha Hasani.
Fondacioni CNVP është një organizatë jofitimprurëse me bazë në Holandë. Si një trashëgimi e organizatës holandeze SNV, ajo u themelua në vitin 2012 për të vazhduar punën kryesisht në Ballkanin Perëndimor dhe aktualisht operon në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi.
Në fund u ndanë edhe mirënjohje për ata që kanë kontribuar përgjatë një dekade.