Njohësi i çështjeve politike, Bekim Çollaku, është shprehur i bindur se të gjitha marrëveshjet e arritura mes Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut, kanë qenë në interes të Kosovës – madje edhe ajo për fusnotën.
“Që nga viti 2011 e deri më sot dialogu në vazhdimësi ka prodhuar një mori marrëveshjesh, disa të mira e disa të këqija, por si tërësi të gjitha marrëveshjet që janë bërë deri më sot kanë qenë të mira për Kosovën dhe e kanë çuar Kosovën në një stad tjetër duke filluar prej fusnotës, që kritikohet me të madhe, deri te e fundit. Kanë qenë marrëveshje që Kosovës i kanë dhënë vëmendje dhe hapësirë manovruese dhe i kanë siguruar mbështetjen e domosdoshme në arenën ndërkombëtare. Marrëveshja për fusnotë mund të cilësohet si marrëveshje e keqe, sepse pse duhet të ekzistojë fusnota kur Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, por askush nuk e sqaron pse ka qenë e domosdoshme dhe cilat kanë qenë benefitet e saj. Pa atë marrëveshje Kosova nuk do të ishte bërë pjesë e asnjë forumi rajonal e ndërkombëtar, do t’i kishte dyert e mbyllura”.
Çollaku, në Rubikon të Klan Kosovës, ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti nuk është i gatshëm për marrëveshjen finale me Serbinë, prandaj edhe dëshiron që Kosovën ta mbajë në status-quo.
“Çfarë është e rëndësishme është fakti që unë jam i bindur që kjo qeveri dhe ky kryeministër [Albin Kurti] nuk ka asnjë interes që të bëjë asnjë marrëveshje në kuadër të këtij dialogu, sepse më së paku është i përgatitur për një marrëveshje përfundimtare dhe qëllimin e vet e ka ta ruajë status-quon”.
“Çështjen e normalizimit të marrëdhënieve Kosova e ka obligim dhe kapitull të veçantë që ia ka vënë përpara BE-ja për anëtarësim, mirëpo Serbia është në mesin e negocimit të shumë kapitujve në ndërkohë dhe nuk ka asnjë zori as ngutie që ta përmbyllë kapitullin 35 që ndërlidhet me normalizim të marrëdhënieve. Status-quo i konvenon vetëm Serbisë, por në asnjë mënyrë, rrethanë dhe aspak nuk i konvenon Kosovës”.
Ai ka thënë se qasja arrogante, sipas tij, e Kosovës karshi dialogut me Serbinë është arsyeja e vetme pse kryeministri kosovar Albin Kurti është sot në Pallatin Elysee në një takim me presidentin francez Emmanuel Macron.
“Arsyeja e vetme pse sonte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është në Elysee është vetëm dialogu dhe asgjë tjetër. Sikur të mos kishte pasë shqetësim kaq të madh as nuk do të ishte aty fare. Shqetësimi është shumë i madh, sepse Kosova përsëri ka dhënë shenjat e para të arrogancës në dialog. Në të kaluarën janë bërë gabime dhe lëshime, por për një gjë që jemi kujdesur është që të mos ndodhë asnjëherë është që Kosova asnjëherë nuk është trajtuar si faktor pengues në këtë dialog. Që nga momenti kur Kosova e ka vendosur taksën kundër Serbisë është në defansivë të plotë dhe konsiderohet si shtet që po minon një proces që do të duhej të dërgonte drejt arritjes së një paqeje përfundimtare”.