Çollaku: Serbia e ka për obligim t’i respektojë të drejtat e shqiptarëve

Prishtinë | 31 Kor 2018 | 10:49 | Nga

Bekim Çollaku, shef i stafit të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, ka pohuar se në Bruksel do të diskutohet për çështjen e Luginës së Preshevës.

“Sigurisht se po. Serbia e ka për obligim që t’i respektojë dhe t’i afirmojë të drejtave e komuniteteve, në këtë rast të shqiptarëve në përputhje me standardet më të larta evropiane. Fatkeqësisht, Serbia është ende shumë larg përmbushjes së këtyre standardeve kur bëhet fjalë për të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Prandaj, sipas Çollakut, Kosova në mënyrë krejt legjitime dhe transparente do të vazhdojë t’i adresojë problemet e shqiptarëve që jetojnë atje, duke përfshirë edhe bisedat formale me autoritetet qeveritare të Serbisë, qoftë në kuadër të dialogut të Brukselit ose forume të tjera ndërkombëtare.

Interesimi legjitim i institucioneve të Republikës së Kosovës për të drejtat e shqiptarëve të Luginës, sipas tij, nuk duhet të jetë shqetësim për Serbinë ose ndokënd tjetër.

“Për aq kohë sa Kosova respekton të drejtën e Serbisë për t’u interesuar për komunitetin serb që jeton në Kosovë, është krejt e pritshme që edhe Serbia ta respektojë të drejtën e Kosovës për t’u interesuar për shqiptarët që jetojnë në Preshevë, në Medvegjë dhe në Bujanoc”, ka theksuar ai.

I pyetur lidhur me atë se cila do të jetë zgjidhja që do t’i bëhet Luginës, Çollaku ka thënë se këtu bëhet fjalë për adresimin e problemeve të shumta që ndërlidhen me të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

“Problemet janë të natyrave të shumta, duke filluar nga respektimi i të drejtave elementare njerëzore e deri tek ato kombëtare e politike”, ka shtuar ai. Kurse, i pyetur nëse do të diskutohet në Bruksel për ndarje të Kosovës ose për shkëmbim territoresh, Çollaku duke mos treguar i ka cilësuar paragjykime opsionet e tilla.

“Ndërsa sa i përket opsioneve eventuale për të arritur marrëveshje, unë konsideroj se paragjykimet e hershme dhe sidomos paragjykimet joracionale, si për shembull opsioni i ndarjes, nuk e ndihmojnë procesin, prandaj preferoj të përmbahem”, është shprehur ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme