Bekim Çollaku, shef i kabinetit të presidentit Hashim Thaçi, ka folur për procesin e dialogut mes Kosovës e Serbisë dhe për debatin se kush duhet të udhëheqë atë proces. Ai tha se faza finale e dialogut do të vazhdojë, mirëpo nuk dihet data se kur do të ndodhë.
“Paralajmërimet apo informatat do të dalin të sakta sepse kështu kanë qenë edhe dakordimet tona me ndërmjetësuesen Mogherini dhe pres që brenda pak ditësh ta kemi takimin e radhës në nivel të presidentëve me ndërmjetësimin e Mogherinit, por ende s’është caktuar data e takimit”, tha Çollaku.
Ai tha në Express Intervistën e KTV-së, se kjo fazë e procesit dialogues është më e rëndësishmja pasi që, siç tha ai, palët pritet që të përmbyllin këtë proces. Këshilltari i Presidentit thotë se në këtë fazë të dialogut do të bëjnë përpjekje për një marrëveshje përfundimtare për normalizim marrëdhëniesh mes dy vendeve.
Çollaku tha se nuk ka asgjë të vërtetë në pretendimet se Serbia është më e përgatitur se Kosova në procesin e dialogut.
“Nuk është e vërtetë se Serbia ka qenë gjithmonë më e përgatitur se Kosova. Platformat e prezantuara janë për përdorim të brendshëm e që s’mund të prezantohen në tavolinën e Brukselit. Në Kosovë po zhvillohet një debat formal e joformal, ai ndërmjet subjekteve politike, që kanë interes për t’u përfshirë në këtë proces me qëllimin e vetëm që Kosova të dalë sa më mirë nga ky proces. Platforma është tërhequr, dhe mendoj se ky ka qenë hap i mirë pasi që Qeveria u ka dhënë kohë partive politike që të harmonizojnë platformën. Më e rëndësishmja është konsensusi politik”, theksoi Çollaku.
Çollaku thotë se nuk mund të imponohen njëanshëm tema në këtë proces dialogues.
“Asnjë temë nuk ka mundur të imponohet njëanshëm nga njëra palë. Për të zhdukurit është biseduar me dhjetëra herë, por s’ka një marrëveshje, shpresoj që në marrëveshjen përfundimtare do të përfshihet edhe kjo çështje. Mungesa e transparencës për dialogun është bërë me imponimin e faktorit ndërkombëtar me qëllimin që të pritet derisa të arrihet një marrëveshje më e mira e mundshme”, deklaroi Çollaku.
Ai tha se në vend po zhvillohet debat i mjaftueshëm ku janë të përfshirë të gjithë ata që kanë interes për të dhënë kontributin e tyre në këtë proces, duke përfshirë edhe shoqërinë civile.
Mirëpo, sipas tij, debati për atë se kush duhet ta udhëheqë dialogun është i kotë.
“Është humbur shumë kohë nga partitë politike duke u diskutuar se kush duhet ta udhëheqë dialogun e jo për temat e dialogut. Kjo është e gabueshme. Nuk ka rëndësi se kush është sot kryeministër apo president. Presidenti nuk shkon atje si individ, por si përfaqësues i shtetit të Kosovës. Në të kaluarën dialogu është udhëhequr në nivel kryeministrash kurse tani është në nivel presidentësh. Thaçi, me gjithë bagazhin politik dhe kompetencat që ka me Kushtetutë, është homolog i barabartë me presidentin serb, Vuçiq”, u shpreh Çollaku.
Ndonëse Kuvendi i Kosovës ende nuk ka marrë një vendim se kush duhet të udhëheqë dialogun me Serbinë, Shefi i kabinetit të presidentit Hashim Thaçi, Bekim Çollaku, tha se këtë detyrë Presidentit ia ka caktuar Kushtetuta.
“Presidenti dhe Kushtetuta ka vendosur që Thaçi të udhëheqë bisedimet. Kuvendi i Kosovës, në rast se vendos që Presidenti për arsye të ndryshme nuk është i denjë të përfaqësojë vendin në arenën ndërkombëtare, Kushtetuta e obligon të mos e lejojë një gjë të tillë. Por, aktualisht Kuvendi nuk ka asnjë arsye për një veprim të tillë. Këto janë xhelozi të nivelit më të ulët. Presidenti me Kushtetutë ka të drejtë të nënshkruajë marrëveshje ndërkombëtare. Por, në rastin me Serbinë, dihet se është Kuvendi që do të ratifikojë çdo marrëveshje me këtë shtet. Nuk është presidenti ai që merr vendim, por është Kuvendi që e jep fjalën përfundimtare”, deklaroi Çollaku.
Sipas tij, qëllimi i debatit të brendshëm është krijimi i konsensusit politik “në mënyrë që të mos kemi probleme në fazat e mëvonshme”.
“Presidenti nuk është se ka mangësi profesionale për të udhëhequr një proces të këtillë. Në këtë fazë do të kërkojmë normalizim marrëdhëniesh, por jo në dëm të sovranitetit të vendit tonë. Koncesioni i vetëm që do të bëhet është forcimi i shtetit të Kosovës, fqinjësia e mirë me të gjitha shtetet dhe integrimi euroatlantik i vendit”, u shpreh Bekim Çollaku, Shef i kabinetit të presidentit Hashim Thaçi.