Profesori universitar, Fatmir Çollaku, ka thënë për Ekonomia Online se vizita e shefit të Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns në Ballkan, është rikonfirmim i vëmendjes dhe përkushtimit të ShBA-së për këtë regjion, në veçanti për Kosovën dhe Bosnjën.
Sipas Çollakut, kryefjala e vizitës së Burns në Ballkanin Perëndimor, ndërlidhet me luftën në Ukrainë, sidomos pas avancimit të këtij shteti në territorin rus.
Ai ka theksuar se “bëhet fjalë për strategjinë amerikane lidhur me situatën e përgjithshme, e posaçërisht eskalimin e situatës në Ukrainë dhe Rusi, meqë bëhet fjalë për një përshkallëzim të situatës”.
“Vizita e drejtorit të CIA-s në Ballkan e sidomos në këto tri vendet: Sarajevë, Beograd dhe Prishtinë, nuk është e rëndomtë ose thënë më thjesht, shumë rrallë nëpër regjione siç është Ballkani vizitohet nga drejtori i CIA-s. Kjo vizitë për mua është shumë domethënëse dhe është një mesazh i rëndësishëm për faktin se vëmendja e ShBA-së është edhe më tutje një rikonfirmim i vëmendjes, i përkushtimit të ShBA-së për këtë zonë të Ballkanit, e në veçanti për Kosovën dhe Bosnjën, duke e ditur faktin se edhe në Bosnjë, e veçanërisht në Kosovë është prezenca amerikane për arsye se i dimë të gjithë për shkak të ngjarjeve të mëhershme, përkatësisht për shkak të destabilitetit që Serbia ka ushtruar në këto vende. Është një rikonfirmim i bashkëpunimit të amerikanëve, një rikonfirmim i vëmendjes amerikane dhe sigurisht mesazh i qartë konkret për institucionet tona madhore, për presidenten e vendit dhe AKI-në, meqë bëhet fjalë për shërbim homolog”, ka thënë Çollaku.
Ndonëse e pranon se kjo vizitë ka të bëjë edhe me situatën në veri të vendit, Çollaku më shumë e ndërlidh me luftën në Ukrainë dhe “pretendimet e kamotshme të Putinit për të atakuar shtetet të cilat e mbështesin Ukrainën”.
“Pa mëdyshje që ka një relacion këto ngjarje por ajo që unë e kam lexuar edhe nga ato informata që unë kam, bëhet fjalë për diçka më tepër sesa Ura e Ibrit, më tepër sesa veriu i Kosovës. Bëhet fjalë për strategjinë amerikane lidhur me situatën e përgjithshme, e posaçërisht eskalimin e situatës në Ukrainë dhe Rusi, meqë bëhet fjalë për një përshkallëzim të situatës atje, duke e ditur faktin se kohëve të fundit ka përparime të Ukrainës në territorin rus, një strategji e paparë deri më tani, e cila pa mëdyshje shkakton një ofensivë shumë më e madhe, një format tjetër i luftës Rusisë në Ukrainë dhe pretendimet e kamotshme të Putinit për të atakuar shtetet të cilat e mbështesin Ukrainën, sepse në aspektin operativ ushtarak, bëhet fjalë për armatime të sofistikuara të cilat tani janë duke u përdorur atje”, u shpreh Çollaku.
Profesori i çështjeve të sigurisë ka konsideruar se veriu i vendit është nën kontroll, sidomos pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë. Ai ka thënë se situata atje ka ndryshuar dhe ekziston kontroll i territorit atje, duke i pamundësuar bandat kriminale të veprojnë në veri.
“Duhet pranuar se gjendja në veri është relative, është një siguri relative por një siguri më e qëndrueshme se deri më tani, për faktin se bandat kriminale, strukturat paralele dhe të gjithë të tjerët që kanë kontribuuar në destabilizim, tani janë më pak prezentë mos të them fare, por duhet pranuar dhe për mua është inkurajim që Republika e Kosovës në këtë gjashtëmujor ka shtrirë juridiksionin e vet në tërë territorin atje, duke pamundësuar bandat kriminale, duke pamundësuar të veprojnë strukturat paralele dhe të gjithë individët tjerë të cilët kanë qenë të instrumentalizuar nga Serbia dhe kanë zhvilluar aktivitet destruktiv deri në atakim të rendit juridik dhe kushtetues të Kosovës, përmes aktit terrorist të 24 shtatorit të vitit të kaluar. Pra të gjitha këto instrumente, mekanizma të dirigjuara nga Beogradi tani nuk janë prezentë ose janë prezentë në atë masë që nuk kanë efekt shumë për t’u frikësuar se mund të bëjnë më shumë në kuptimin e rrënimit të rendit juridik”, ka thënë Çollaku.