Antonio Conte është emëruar në pozitën e trajnerit të Interit, ku do ta zëvendësojë Luciano Spallettin, i cili u shkarkua dje.
49-vjeçari kthehet të punojë në Itali, pasi u shkarkua nga Chelsea në fund të sezonit të kaluar.
Ai i kaloi dy vjet në Stamford Bridge, ku i fitoi nga një titull të Premierligës dhe të FA Cup, ndërsa më herët në karrierë e kishte fituar titullin e Serisë A tri herë, sa ishte trajner i Juventusit.
Nën drejtimin e Spallettit, Interi e mbylli këtë sezon në pozitën e katërt në tabelën e Serisë A dhe u kualifikua në sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve për të dytin sezon radhazi.
“Një kapitull i ri në jetën time po fillon, jam me të vërtetë i emocionuar. E kam zgjedhur Interit për shkak të klubit që është dhe për shkak të ambicies së madhe që kanë”, ka thënë ish-mesfushori i Juventusit dhe Italisë.
“Jam mahnitur nga transparenca e klubit dhe dëshira e tyre për ta ngritur Interin përsëri aty ku përket”.
Presidenti i Interit, Steven Zhang, tha se ai është i sigurt se Antonio Conte është njëri ndër trajnerët më të mirë në botën e futbollit.
“Jam i sigurt se ai do të na ndihmojë t’i arrijmë synimet tona dhe ta përmbushim misionin tonë, i cili gjithmonë mbetet i njëjti: ta bëjmë këtë klub njërin ndër më të mirët në botë përsëri’, u shpreh Zhang. /