Trajneri i Interit, Antonio Conte, ka kërkuar garanci nga pronari i klubit, Suning, për ta vazhduar projektin në Giuseppe Meazza.
Trajneri italian ka ngurrur të japë detaje për të ardhmen e vet në Inter, megjithëse marrëveshja me zikaltrit i mbaron në qershor të vitit 2022.
Conte i dha fund mbizotërimit nëntëvjeçar të ish-klubit të vet, Juventus, në Serie A, duke i ndihmuar Interit ta fitojë titullin e parë në ligë pas 11 vjetëve.
Por mediat italiane kanë raportuar së fundmi se Conte mund të mos qëndrojë në Inter pas këtij sezoni.
Ai tha se për të ardhmen do të vendosë kur të vijë koha e duhur, duke theksuar: “Ta shijojmë këtë çast, do të kemi kohë për të biseduar së bashku, me presidentin dhe drejtorët, për ta zgjedhur rrugën e Interit”.
Mediat italiane raportojnë se Conte dëshiron të kuptojë nëse plani emergjent i studiuar nga Suning është varet nga pasiguria për gjetjen e një partneri të ri apo nëse plani për reduktime në klub nuk bën përjashtime.
Është e qartë se heqja dorë nga 13.5 milionë euro në vit do të ishte goditje e rëndë për Conten, por ai dëshiron ta kuptojë qartazi planin dhe strategjinë për të ardhmen e klubit dhe mbi të gjitha nga pronarët, veçanërisht tani që është fituar titulli në ligë.