Antonio Conte u largua nga pankina pak minuta para vërshëllimës finale të ndeshjes Udinese-Inter, pasi u ndëshkua me karton të kuq nga arbitri Maresca, për shkak të protestave në lidhje me minutat shtesë të akorduara.
Në përfundim të ndeshjes ishte vet Conte që zbuloi edhe dialogun me arbitrin, të cilit i kishte kërkuar të akordonte më shumë se 4 minuta shtesë, duke qenë se loja ishte ndërprerë shpesh në pjesën e dytë.
“Debatuam për minutat shtesë dhe ai më ndëshkoi. Unë mendoj se në pjesën e dytë mund të akordoheshin më shumë se 4 minuta shtesë, duke qenë se u luajt shumë pak, pasi kundërshtarët u shtrinë disa herë për të kërkuar ndihmën mjekësore, megjithatë vendimet i merr arbitri dhe ne duhet t’i respektojmë”, tha Conte pas ndeshjes.
Megjithatë në fushë u dëgjua trajneri zikaltër që i hakërrehej arbitrit, duke i sjellë në vëmendje edhe penalizimin që ky i fundit i bëri Interit në ndeshjen ndaj Parmës, kur ishte në VAR dhe nuk ndërhyri për një penallti pas ndërhyrjes së Balogh ndaj Perisic.
“Je gjithmonë ti Marseca. Je gjithmonë ti. Edhe në VAR je gjithmonë ti. Bravo Maresca”, dëgjohet t’i thotë Conte arbitrit gjatë ndëshkimit me karton të kuq, ndërsa edhe menaxheri i zikaltërve Oriali pa të njëjtën ngjyrë kartoni për shkak të protestave.