Qeveria e Kosovës dhe kompania fituese për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, “ContourGlobal”, thonë se nuk do të zmbrapsen nga realizimi i projektit, pavarësisht deklaratave të përfaqësuesve të Bankës Botërore se nuk do ta mbështesin ndërtimin e një termocentrali të ri me thëngjill.
Joseph Brandt, themelues dhe menaxher i kompanisë “ContourGlobal”, në një përgjigje nëpërmjet postës elektronike, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se “Banka Botërore është e parëndësishme për ta përmbyllur projektin ‘Kosova e Re’ në mënyrë të suksesshme, një projekt ky, që sipas tij, është kyç për të ardhmen e furnizimit me energji dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës”.
“Roli i Bankës Botërore kurrë nuk ka qenë që të sigurojë financimin e projektit dhe deklaratat për këtë projekt nuk kanë asnjë ndikim në këtë projekt. Ne, së bashku me Qeverinë e Kosovës, jemi të vendosur për ta vazhduar me projektin”, thuhet në përgjigjen e “ContourGlobal”.
Po ashtu, Brandt, në emër të kompanisë, ka thënë se është i sigurt se do të sigurohen fondet e nevojshme në kohën e duhur, në mënyrë që ndërtimi të nisë në fillim të vitit 2019.
Edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, Valdrin Lluka, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë tha se ka 10 vjet që Banka Botërore ka qenë e angazhuar në këtë projekt dhe se i tërë projekti është realizuar sipas standardeve të kërkuara nga Banka Botërore.
Ai tha, po ashtu, se nga Banka Botërore nuk ka ardhur ende ndonjë dokument zyrtar që dëshmon përfundimisht se nuk e mbështet projektin.
Megjithatë, gjatë takimeve me përfaqësues të Bankës Botërore, këta të fundit, ishin shprehur më shumë në favor të energjisë nga burimet alternative, duke e cilësuar atë si më të leverdishme. Por, burimet e energjisë alternative nuk i sigurojnë Kosovës prodhimin bazë të energjisë elektrike, meqë ajo nuk posedon energji nukleare dhe as ujë të mjaftueshëm.
“Energjia e ripërtërishme për Kosovën nuk bën zgjidhje, sepse po flasim për energjinë bazë të vendit. Energjia e ripërtërishme në asnjë vend të botës nuk përdoret për energji bazë. Dhe, Kosova nuk mund të jetë eksperiment, sepse nuk është vend i zhvilluar dhe nuk kemi financim të pakufishëm”.
“Për këtë duhet të kemi kujdes që të ndërtojmë diçka që është stabile dhe prodhon energji 24 orë në shtatë ditë në javë. Nuk mund të prodhojmë energji vetëm kur ka kushte klimatike”, theksoi ministri Lluka.