Coronavirusi ka qenë në Itali prej dhjetorit, thotë një studim

Prishtinë | 19 Qer 2020 | 17:00 | Nga Ekonomia Online

Studiuesit italianë thonë se në ujërat e zeza të dy qyteteve, janë gjetur gjurmë të koronavirusit në muajin dhjetor, shumë kohë para se vendi të konfirmonte rastet e para me këtë virus.

Instituti Kombëtar i Shëndetit tha se uji nga Milano dhe qyteti Turin ka pasur gjurmë të koronavirusit më 18 dhjetor.

Në gjetjet e këtij instituti thuhet se provat nga shtetet e tjera tregojnë se virusi mund të ketë qarkulluar më herët se sa mendohej.

Ekspertja për kualitetin e ujit në Institutin Kombëtar të Shëndetit në Itali, Giuseppina La Rosa tha se të dhënat e këtij studimi do të ndihmojnë për të zbuluar sesi koronavirusi u përhap në Itali.

Zyrtarët kinezë kanë konfirmuar rastet e para me koronavirus në fundin e dhjetorit të vitit të kalaur, ndërsa në Itali rastet e para janë konfirmuar në mes të shkurtit.

Në maj, studiuesit francezë kishin testuar mostrat e një pacienti që ishte trajtuar më 27 dhjetor në Paris, nën dyshimin se kishte pneumoni, por shkencëtarët gjetën se në fakt pacienti kishte qenë i infektuar me koronavirus.

Ndërkaq, një studim në Spanjë gjeti se gjurmë të virusit në ujërat e zeza u gjetën në gjysmën e janarit në Barcelonë, apo rreth 40 ditë para se të konfirmoheshin rastet e para me sëmundjen Covid-19 (që e shkakton koronavirusi) në këtë shtet.

Lombardia është rajoni më i goditur nga koronavirusi në Itali dhe rastet e para atje u regjistruan në shkurt. Deri më tani, mbi 40 mijë persona kanë vdekur nga Covid-19 në Itali.

Të ngjashme