Tridhjetë projekte janë planifikuar nga Komuna e Prishtinës që të realizohen brenda vitit 2020, ku përfshihen punimet në 100 rrugë ë kryeqytetit.
Drejtori i Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, Gëzim Rafuna Mehmeti, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se prioriteti kryesor është që çdo lagje e Prishtinës të ketë infrastrukturë të moderuar.
“Komuna e Prishtinës ka projekte të mjaftueshme të cilat janë planifikuar në vitin 2019 dhe të cilat do të realizohen në vitin 2020. Kemi mbi 30 projekte, ku njëri nga projektet i cili është tenderuar mbërthen 20 rrugë. Jemi në ndërtimin e mbi 100 rrugëve në Komunën e Prishtinës. Fokusi jonë ka qenë në lagjet e Prishtinës”.
“Në Dardani jemi duke bërë asfaltimin e të gjitha rrugëve, pastaj kemi qasjen prej Dardanisë, që banorëve të iu mundësohet ta kenë qasjen në magjistralen e Mitrovicës, pastaj deri te rrethrrotullimi, sepse aty ku kanë pasur qasjen banorët e pjesës perëndimore të lagjes ka qenë vetëm kryqëzimi i Bill Clintonit në hyrjen në kurriz të Dardanisë”.
“Banorët e kanë mundësinë që të qasen edhe në dysh. Dhe kjo qasje u mundëson banorëve të Emshirit që ta përdorin nënkalimin te Stacioni i Autobusëve dhe të kenë qasje në drejtim të Mitrovicës. Jemi në çdo lagje duke u marr me ndërtimin e infrastrukturës, e cila nënkupton ndërtimin e kanalizimit fekal atmosferik si dhe shtrimin e kabllove Ipko, Kujtesa dhe Artmotion”, shtoi Mehmeti.
Mes tjerash, Mehmeti tha se për shkak të pandemisë Coronavirusit kanë pasur vonesa sa i përket miratimit të buxhetit, ku të gjitha investimet janë pezulluar për një kohë të shkurtër.
Drejtori Mehmeti ndër të tjera ka thënë se përveç ndërtimeve në asfaltimin e rrugëve dhe ndërtimeve të shtigjeve të biçikletave e parkingjeve, fokusi kryesor është edhe ndërtimi i parqeve dhe i shtigjeve të këmbësorëve në secilën lagje.
“Së pari kemi pasur vonesa sa i përket miratimit të buxhetit në Parlamentin e Kosovës. Ne e dimë që buxheti është miratuar në mars, deri në atë kohë nuk patëm mundësi t’i iniciojmë tenderat e projekteve. Pastaj filloi pandemia dhe janë shtyrë projektet. Ka qenë një vendim KRPP-së që çdo projekt dhe investim kapital të pezulluar për një kohë. Mirëpo për fat të mirë tashmë ka filluar inicimi i procedurave. Të gjitha projektet për vitin 2020 janë në prokurim, mirëpo do të zgjasin 3 deri në 6 muaj”.
“Kemi projektet të mjaftueshme që jemi duke i realizuar në vitin 2020 i cili konsiderohet të jetë edhe vit i infrastrukturës në çdo lagje. Kemi filluar në lagjen Ilaz Kodra ndërtimin e shtigjeve te biçikletave. Në rrugën Agim Ramdani do të ndërtohen shtigjet e biçikletave dhe emergjenca do të jetë njëkahore. Zakonisht ndërtimi i rrugës përfshinë edhe trotuaret, ku në Dardani janë të parapara edhe trotuaret, ndërtimi i shtigjeve për këmbësor dhe biçikleta” shtoi ai.
Mehmeti tha se Prishtina ka nevojë për ndërtimin e ri të kanalizimeve dhe ujësjellësit. Ai tha se prej vitit 2019 deri në vitin 2020 janë ndarë 2 milionë euro.
“Prishtina ka nevojë për ndërtimin e ri të kanalizimeve, sepse kanalizimi ka qenë i vjetër dhe nuk e përballon dot ndërtimin e ri dhe kemi bërë një investim që është bazuar në kërkesat e zhvillimit të fundit në lagjen e Muhaxherëve dhe kemi vendosur ndërtimin e kanalizmimit të ri fekal dhe ujësjellësin që po bëhen në atë lagje”.
“Në Dardani i kemi ndërtuar tri parkingje dhe dy i kemi rindërtuar. Për vitin 2019 i kemi ndarë 2 milion, ku këto kontrata janë në realizim e sipër dhe poashtu për vitin 2020 janë të planifikuara këto mjete të cilat do të vazhdojnë deri në vitin 2030. Është një investim 10 vjeçar. Ndërsa sa i përket çështjes së kanalizimeve aty ku ka ndërtime të kanalizimeve nuk ka shënime”, shtoi Mehmeti.
Ai foli edhe rreth planit të mobilitetit, në të cilin parashihen ndërtimet e shtigjeve të biçikletave, ku në qershor pritet të përurohet shtegu i parë.
“Plani i mobilitetit parasheh ndërtimin e shumë shtigje të biçikletave në Komunën e Prishtinës. Në qershor do ta përurojë shtegun e parë të biçikletave në Dardani sipas planit të mobilitetit”.
“Të hyrat nuk i kemi në nivel të vitit 2011 dhe procedimi do të varet nga pjesa e të hyrave sepse 50 % e buxhetit është nga të hyrat vetanake të komunës dhe 50% nga grantet qeveritare”, shtoi ai.