Coronavirusi spikat ndryshimet e mëdha ndërmjet shoqërive

Prishtinë | 19 Tet 2020 | 08:52 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, deklaroi kohët e fundit se shifrat e rasteve të reja me koronavirus janë më të larta në Mbretërinë e Bashkuar sesa në Gjermani apo Itali, pasi britanikët e duan më shumë lirinë, dhe e kanë më të vështirë të respektojnë masat kufizuese, shkruan “The Conversation”. 

Nuk është befasi

Nuk është e habitshme që kjo pikëpamje ka shkaktuar shumë debate dhe kritika. Disa kanë argumentuar se Gjermania dhe Italia e duan lirinë po aq sa Britania e Madhe. Të tjerët sugjerojnë se ndryshimi ka të bëjë me cilësinë e sistemeve të testimit dhe gjurmimit që aplikojnë këto vende. Nuk ka asnjë provë të fortë se Boris Johnson e kishte gabim, por përtej Atlantikut, ekonomisti amerikan Paul Krugman ka sugjeruar diçka të ngjashme. Reagimi i dobët i SHBA-së ndaj pandemisë, thotë ai, është përgjegjësi e politikanëve dhe politikave, që kanë dështuar t’i bindin njerëzit të veprojnë në mënyrë të përgjegjshme në këtë situatë. Sipas tij, dashuria e lirisë është justifikimi për “kultin amerikan të egoizmit”. Ndërsa ne nuk mund të përcaktojmë dot 100 për qind arsyet që qëndrojnë pas shifrave të larta me Covid-19 në Britani dhe Amerikë, është interesante të shohësh kryeministrin britanik dhe një laureat të Çmimit Nobel që japin argumente të ngjashme. Po sa të besueshme janë pretendimet e tyre? Fuqia e individualizmit “Dashuria ndaj lirisë” është e vështirë të matet, por ajo lidhet me konceptin e individualizmit. Ky tipar kulturor e thekson lirinë personale dhe kremton suksesin individual. E kundërta e tij është kolektivizmi, që e thekson ngulitjen e individëve tek një grupim shoqëror, dhe e vë theksin tek nevoja për t’u mbështetur dhe mësuar nga mjedisi shoqëror. Vepra më e rëndësishme mbi individualizmin është shkruar nga psikologu social holandez Gert Hofshtede. Ai zhvilloi një kornizë për të krahasuar kultura të ndryshme përgjatë 6 dimensioneve. Këto të fundit janë: sa individualiste ose kolektive është një shoqëri, sa altruiste është ajo, cilat janë qëndrimet e saj ndaj pushtetit dhe ndryshimit, si përballet me pasigurinë dhe sa mashkullore apo femërore janë vlerat e saj. Brenda këtij kuadri, individualizmi përkundrejt kolektivizmit ka rezultuar të jetë kontrasti më i fuqishëm dhe i vazhdueshëm midis kulturave të ndryshme. Sidoqoftë, sipas shkallës së Hofshtede, Gjermania dhe Italia e sotme janë që të dyja shoqëri individualiste, edhe nëse Britania e Madhe dhe SHBA kryesojnë këtë listë. Ndaj pikëpamja e Johnsonit mbi Italinë dhe Gjermaninë duket se ka ngecur në vitet ‘30.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme